![Shoqata e Distributorëve kërkon shtyrjen e afatit për çmimet e barnave dhe mbrojtjen e stoqeve aktuale](/uploads/zeri.info/images/2024/May/06/auto_Barnatore_copy1714987934.jpg)
Shoqata e Distributorëve kërkon shtyrjen e afatit për çmimet e barnave dhe mbrojtjen e stoqeve aktuale
Shoqata e Distributorëve të Produkteve Farmaceutike dhe Medicinale të Kosovës, përmes Odës Ekonomike të Kosovës, i është drejtuar me një kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë, ku ka kërkuar shtyrjen e afatit të implementimit të listës zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.
Kështu ka bërë të ditur kjo shoqatë përmes një njoftimi.
“Në lidhje me vendimin e datës 31.12.2024, përmes të cilit është miratuar lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale dhe hyrja e saj në fuqi është caktuar për datën 01.02.2025, dëshirojmë të theksojmë disa sfida praktike dhe implikime ekonomike që rrjedhin nga afati i shkurtër i implementimit”, thuhet në kërkesën e SHDPFMK-së drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë.
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2025/February/05/auto_l1738764016.jpg)
Kjo shoqatë ka kërkuar që: të mos preket stoku aktual i barnave – produktet medicinale që janë importuar më herët dhe ndodhen në depot e qarkulluesve farmaceutikë me shumicë dhe në barnatore të mos i nënshtrohen vendosjes retroaktive të çmimeve të reja, pasi një masë e tillë do të ishte në kundërshtim me parimin se ligjet zbatohen retroaktivisht vetëm kur janë në dobi të palës.
ShDPFMK ka kërkuar gjithashtu të zgjatet periudha e hyrjes në fuqi të çmimeve të reja minimumi 6 muaj, në mënyrë që të mundësohet menaxhimi i stoqeve ekzistuese dhe shitjen e tyre me një marzhë të pranueshme fitimi deri në pastrimin e tyre.
“Kërkojmë që stoqet ekzistuese të barnave të mos preken nga çmimet e reja. Produktet e importuara më herët janë blerë me çmime të tjera dhe nuk mund të shiten me humbje. Ligji nuk mund të zbatohet retroaktivisht për dëm të palës. Afati i hyrjes në fuqi të zgjatet për të paktën 6 muaj. Kjo do të lejonte menaxhimin dhe shitjen e stoqeve ekzistuese me një marzhë të pranueshme fitimi”, thuhet në kërkesë.