Rushiti: Si organizatë ne kurrë s’kemi punuar për çmime
Foto: Laura Hasani

Rushiti: Si organizatë ne kurrë s’kemi punuar për çmime

Aktuale January 23, 2025 - 13:47

Drejtoresha e Qendrës për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti, javën e kaluar është nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ajo dhe qendra e saj janë nominuar me propozim të deputetit të Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson.

Ajo ka folur për ndjesinë e saj për këtë nominim dhe për punën e kësaj qendre.

“Si organizatë ne kurrë s’kemi punuar për çmime. Ne natyrisht si organizatë kemi marrë edhe çmime tjera para këtij nominimi por kjo na ka zënë edhe neve pak pa përgatitur. Mua më ka nominuar deputeti suedez Jacobsson, me të cilin jam takuar në verën e vitit 2022 krejt rastësisht. Ai në atë kohë i ka takuar krerët institucional dhe më ka takuar edhe mua dhe kemi bashkëbiseduar për organizatën, për bashkëpunimin tonë me Ukrainën. Ai sapo ishte kthyer nga Ukraina, folëm për dhunën seksuale që po ndodhë atje dhe si mund të ndihmojmë, pastaj për sfidat me të cilat ballafaqohemi ne si organizatë dhe vizionin e përgjithshëm. Kaq ka qenë takimi im me të. Ishte takim shumë i zakonshëm në organizatën tonë”, tha Rushiti në Rtk.

Ajo tutje theksoi se lajmin për këtë nominim e kanë marrë nga mediat sociale, e më pas ia kishte konfirmuar ambasadorja e Kosovës në Suedi.

“Në fakt mua më kishte ardhur një e-mail në orën 17:55, por unë në atë kohë isha e zënë me një takim. Në të njëjtën kohë në lagjen ku jetoj ka qenë një incident diçka me zjarr dhe shumë njerëz më kanë telefonuar për të më pyetur a jam mirë. Më pas isha në një mbledhje të rëndësishme në ‘Zoom’, derisa njëra nga koleget më tha: ‘Feride mbylle Zoom-in dhe eja se je nominuar për Çmimin Nobel’. Ka qenë emocion i papërshkrueshëm. Ambasadorja jonë në Suedi e kishte shpërndarë nominimin dhe ma konfirmoi se është zyrtare. Pastaj kam marrë shumë telefonata përgëzimi”, shtoi Rushiti.