Kurti: Rugova i la Kosovës trashëgimi të madhe politike e institucionale

Kurti: Rugova i la Kosovës trashëgimi të madhe politike e institucionale

Aktuale January 21, 2025 - 15:04
Kurti përmes Facebook-ut kujton Rugovën

Kryeministri Albin Kurti e ka kujtuar ish-presidentin Ibrahim Rugova, në 19-vjetorin e vdekjes së tij.

I pari i ekzekutivit ka shprehur respekt e mirënjohje për rolin dhe trashëgiminë e Rugovës, duke ndarë kujtime personale dhe duke nënvizuar rëndësinë e punës së tij për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës.

“Në fillet e angazhimit tim politik, më 1997, kam patur rastin ta takoj dy herë Presidentin Ibrahim Rugova, prej kur figura e tij më ka mbetur në kujtesë në trajtën e imazhit të një njeriu të urtë, paqësor dhe besnik ndaj rrugës së dialogimit në politikë. Sot janë bërë 19 vite nga 21 janari i vitit 2006, kur Dr. Ibrahim Rugova vdiq në moshën 61 vjeçare, duke lënë pas infrastrukturën e një tradite të madhe politike, institucionale dhe studimore”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Tutje, Kurti ka thënë se si kryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës që nga themelimi i saj më 1989 dhe më pas si presidenti i parë i Kosovës nga viti 1992 e tutje, Ibrahim Rugova luajti një rol kyç në ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës në fillimvitet '90.

“Konsistenca e tij retorike me kërkesa për liri, pavarësi dhe demokraci për Kosovën, u dëgjua si një mesazh autentik dhe i besueshëm në të gjitha kancelaritë e shteteve të Evropës dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në historinë moderne të Kosovës, një dekadë e gjysmë (1989-2006) e saj është e lidhur ngushtë me emrin e Presidentit Rugova, periudhë kjo që fillon me rezistencën paqësore të viteve ’90 dhe përfundon me periudhën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës që kulmoi me shpalljen e pavarësisë së saj më 2008”, ka shkruar tutje Kurti.

Kryeministri ka thënë se dr. Ibrahim Rugova i ka lënë Kosovës një trashëgimi të madhe politike, institucionale dhe letrare e studimore, e cila është mbledhur dhe studiuar, por që sipas tij, edhe më tutje pritet të njihet dhe të studiohet nga politologët, historianët, filozofët dhe kritikët e letërsisë.

“Në muajt e fundit, korpusit të botimeve për Presidentin Ibrahim Rugova, u është shtuar dhe një botim i veçantë për raportimet e shtypit italian dhe gjerman për Presidentin Rugova. I përgatitur për botim nga studiuesi Bejtullah Destani, ky libër mund të merret si një hyrje e mirë për t’u njohur me profilin politik të Presidentit Rugova, parë nga perspektiva e raportimeve të mediave ndërkombëtare dhe si një mënyrë për ta kujtuar atë në këtë përvjetor të vdekjes së tij”, ka nënvizuar Kurti.