ZPS-ja për dëshmitarin e radhës: Ka qenë i ndaluar dhe është rrahur nga pjesëtarët e UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 113-të i ZPS-së, i cili mban kodin W04500 në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është nën masa mbrojtëse dhe është duke dëshmuar përmes videolidhjes.
Pyetje për të është duke i parashtruar përfaqësuesi i ZPS-së, prokurori Cezary Mihailzcuk, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Më 1999-n dëshmitari W04500 u arrestua nga anëtarë të armatosur të UÇK-së dhe u dërgua në një vend ndalimi ku është marrë në pyetje dhe është rrahur. Atje është mbajtur i ndaluar me disa persona të tjerë dhe më pas është zhvendosur me disa prej tyre në një vend të dytë ndalimi.
Dëshmitari W04500 u lirua pas rreth një muaji nga ambientet e ndalimit”, tha prokurori, duke shtuar se për këtë përmbledhje kishte kundërshtime nga ana e palëve.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Prokuroria ka parashtruar se i duhen 40 minuta për pyetjet e tyre, mbrojtësi i viktimave 15 minuta dhe ekipet e mbrojtjes më pak se dy orë për kundërpyetjet e tyre ndaj dëshmitarit.
Megjithatë, pasi lexoi përmbledhjen, prokurori tha se nuk ka pyetje për këtë dëshmitar.
Me pyetje vazhdoi mbrojtësja e viktimave e përfaqësuar nga avokatja Maria Radziejowska e cila kërkoi seancë private për ta pyetur dëshmitarin lidhur me pasojat që kishte pasur sa i takon ndalimit. Kjo gjë u aprovua nga trupi gjykues.
Avokati i Thaçit, Luka Misheiq, njoftoi se pyetjet e tyre do të parashtrohen nga avokatja, Fëllënëza Limani.
Në prova materiale u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët duke përfshirë edhe materialet përcjellëse të cilat u klasifikuan si konfidenciale.