Refuzimi i vizitës në Preshevë, Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit
Foto: Laura Hasani

Refuzimi i vizitës në Preshevë, Çeku: Serbia shkeli Marrëveshjen e Brukselit

Aktuale December 19, 2024 - 19:14

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku e ka quajtur “lojë të ndytë” vendimin e autoriteteve serbe që t’ia refuzonin vizitën në Luginë të Preshevës.

Ai përmes një shkrimi në Facebook ka deklaruar të enjten se qëllimi i vizitës së tij në Preshevë ishte takimi me kryetaren e Komunës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës.

Çeku thotë se Serbia shkeli afatin 48-orësh për t’iu përgjigjur kërkesës për vizitë, e sipas tij, kjo është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit.

“Serbia e vazhdon lojën e ndytë, në Bruksel flet për konstruktivitet dhe avancim në zbatim të marrëveshjes për vizita zyrtare, ndërsa ende pa u kthyer në Beograd refuzon kërkesën tonë. Përkundër që kemi ndjekur dhe respektuar të gjitha procedurat e nevojshme për tu pajisur me leje që të zhvillojmë një vizitë në Luginën e Preshevës, kjo na u mohua nga institucionet e Serbisë. Qeveria e Serbisë refuzoi hyrjen në Serbi vetëm një orë para kohës së planifikuar, duke shkelur afatin 48-orësh të përgjigjes, siç parashihet në Marrëveshjen e Brukselit”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook.

Çeku ka shtuar se Serbia po vazhdon ta dëshmojë se s’është e interesuar për raporte normale fqinjësore.

“Qëllim i vizitës sonë ishte takimi me kryetaren e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani dhe vizita në institucione të kulturës, takim me organizata rinore dhe kulturore. Përkundër kësaj, ne do të vazhdojmë t’i mbështesim e të jemi pranë qytetarëve të Preshevës, teksa Serbia vazhdon ta dëshmoj e ridëshmoj se nuk është e interesuar për marrëdhënie normale fqinjësore”, ka thënë ai.