Ismet Bahtijari deklarohet fajtor
Ismet Bahtijari ka ndryshuar deklaratën e tij nga i pafajshëm në fajtor lidhur me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, si dhe atë të frikësimit.
Januzi u përgjigj me “po”, kur u pyet se a është i gatshëm që të ndryshojë deklarimin fillestar si i pafajshëm.
Si rrjedhojë, atij iu lexuan akuzat sërish, ku për secilën prej tyre u deklarua fajtor.
Veç kësaj, Bahtijari pohoi se marrëveshjen me ZPS-në e ka arritur me vullnetin e tij dhe që askush nuk e ka detyruar.
Ndërsa sa i takon zhdëmtimit, avokatja e Bahtijarit, Felicity Gery tha se kanë bërë disa komente me shkrim duke përfshirë edhe atë që të mos ketë kosto financiare për Bahtijarin që përfshihet çdo kosto e mundshme qoftë për zhdëmtime ose për shpenzime.
Ajo gjithashtu tha se dje është dhënë dje urdhri në gjykatë për kërkime lidhur me viktima të mundshme dhe sipas saj ata nuk mund të bëjnë parashtrime deri sa të përfundojë ky hetim i cili është urdhëruar.
Gery tha se parashtrimet e tyre do t’i bëjnë të plota në momentin që urdhri lëshuar nga gjyqtarja zbatohet.
Ndërsa, prokurori John Deveney tha se janë në një fazë të hershme dhe nuk dihet se a do të ketë viktima pjesëmarrëse në këtë rast. Megjithatë edhe ai tha se do të presin zbatimin e urdhrit të gjykatës lidhur me këtë pjesë.
Ndërsa sa i takon dënimit, Gery tha se nuk po kërkojnë asgjë më tepër së marrëveshja për pranimin e fajësisë dhe kërkoi që ajo të merret parasysh dhe të pranohet nga gjykata. /BetimipërDrejtësi