KQZ-ja me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset zgjedhore

KQZ-ja me fushatë për promovimin e barazisë gjinore në proceset zgjedhore

Aktuale December 19, 2024 - 12:09

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se ka zhvilluar 10 tryeza tematike që theksuan rëndësinë e barazisë gjinore në proceset zgjedhore.

Bëhet e ditur se tryezat, që u mbajtën në komuna të ndryshme të Kosovës, ishin pjesë e përgatitjeve për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 9 shkurt 2025.

“Diskutimet në këto dhjetë tryeza patën për qëllim promovimin e rolit dhe përfshirjes së grave në politikë dhe në proceset vendimmarrëse, duke vënë theksin te rëndësia e angazhimit të tyre aktiv që zëri dhe nevojat e grave dhe vajzave të reflektohen si në politikat lokale, ashtu edhe në ato qendrore. Kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se barazia gjinore në proceset zgjedhore nuk është vetëm domosdoshmëri demokratike, por edhe mundësi për të fuqizuar zërin e grave në çdo aspekt të jetës publike dhe vendimmarrjes. Ai u shpreh se përmes këtyre tryezave, është synuar të dërgohet mesazh për ndryshime të prekshme në përfaqësimin e grave në zgjedhje dhe politikë”, njofton Zyra për informim e KQZ-së.

Gjithashtu, bëhet e ditur se gjatë këtyre tryezave, përfaqësues të KQZ-së, të nivelit lokal, shoqërisë civile dhe medias diskutuan mbi rëndësinë e pjesëmarrjes së grave në zgjedhje, si një hap i domosdoshëm drejt avancimit të barazisë gjinore dhe demokratizimit të shoqërisë. Është diskutuar edhe se si përfshirja e grave në zgjedhje ndikon në krijimin e një mjedisi më të barabartë politik dhe fuqizimin e pozitës së tyre në vendimmarrje. /eo