Lansohet Platforma për Raportimin e Korrupsionit

Lansohet Platforma për Raportimin e Korrupsionit

Aktuale December 19, 2024 - 11:32

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK) ka lansuar Platformën për Raportimin e Korrupsionit, e cila shënon një hap të rëndësishëm për “avancimin e transparencës dhe llogaridhënies në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

Aty u tha se kjo platformë moderne synon të fuqizojë qytetarët dhe institucionet në luftën kundër korrupsionit, duke ofruar një mekanizëm të shpejtë, të sigurt dhe konfidencial për raportimin e rasteve.

Drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, tha se ky aplikacion tregon se teknologjia nuk është thjesht një mjet teknologjik, është një deklaratë.

“Platforma për Raportimin e Korrupsionit që po lansojmë sot nuk është thjesht një mjet teknologjik, është një deklaratë. Është një zotim që çdo qytetar në këtë vend ka fuqinë të sjellë ndryshim. Është një simbol i asaj që ne mund të arrijmë kur bashkojmë forcat për një qëllim të përbashkët. Kjo platformë është një fryt i bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me partnerë të tillë si UNDP dhe e frymëzuar nga koncepti ‘Clean Portal’ i Koresë së Jugut. Por ajo është bërë me e fuqishme sepse është përshtatur për realitetin tonë. Është një tregues se si mund të marrim praktikat më të mira globale dhe t’i bëjmë ato të funksionojnë për ne”, u shpreh Buleshkaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Adnan Rrustemi tha se teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit.

“Lansimi i platformës ‘Raporto korrupsionin’ përfaqëson jo vetëm një mjet inovativ, por edhe një shembull të përkushtimit të institucioneve të Kosovës për të ndjekur praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e parandalimit të korrupsionit. Kjo platformë është si rezultat i përkrahjes së fuqishme e UNDP-së, dhe platforma e zhvilluar ka për model praktikat më të mira ndërkombëtare në drejtim të adaptimit të përmbushjes së nevojave specifike të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit. Teknologjia gjithsesi ka një rol thelbësor në parandalimin e korrupsionit, kjo platformë ofron një mënyrë moderne, të sigurt dhe konfidenciale për qytetarët që të raportojnë raste të korrupsionin”, u shpreh Rrustemi. /eo

Image