
Haxhi Shala dhe Sabit Januzi pranojnë akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit
Haxhi Shala dhe Sabit Januzi kanë pranuar akuzën e frikësimit të një dëshmitari dhe pengimit në marrëveshje për pranimin e fajësisë me Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Kështu ka njoftuar Gjykata Speciale, përmes një komunikate për media, transmeton Zeri.info.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se të pandehurit janë akuzuar për frikësim gjatë procedurave penale dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.
“Arritja e zyrës sonë për të përfunduar këto marrëveshje është dëshmi e forcës së hetimeve tona lidhur me çështjet e frikësimit dhe pengimit të drejtësisë. Ne e bëmë këtë pas një shqyrtimi të kujdesshëm që mori parasysh, midis të tjerave, rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë në këtë kontekst, përfitimet e arritjes së përmbylljes herët të çështjes në mënyrë të drejtë, dhe mendimet e viktimave”, ka thënë në një reagim lidhur me marrëveshjet prokurorja e specializuar, Kimberli Uest.
Prokurorja e specializuar u zotua gjithashtu të vazhdojë hetimet që lidhen me pengimin e drejtësisë për të garantuar integritetin e procedurave në Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“ZPS-ja do të vazhdojë, në të njëjtën kohë, të ndjekë me forcë të gjithë ata që kërkojnë të ndërhyjnë në administrimin e drejtësisë dhe të mbrojë viktimat e dëshmitarët në Kosovë”, tha Uesti.
Gjyqi ndaj Shalës dhe Januzit, së bashku me Ismet Bahtijarin, ishte planifikuar të hapej më 14 nëntor 2024. /Zëri