Bordi i RTK-së emëron Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm
Foto: Laura Hasani

Bordi i RTK-së emëron Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm

Aktuale October 31, 2024 - 19:22

Bordi i RTK-së ka emëruar sot Hysen Hundozin, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtori të Përgjithshëm.

Bordi i RTK-së ka njoftuar se ka mbajtur sot mbledhje të jashtëzakonshme me pikën kryesore të rendit të ditës “Diskutimi mbi bllokimin e ekzekutimit financiar dhe menaxherial në RTK,” ku Zyrtari Kryesor Financiar ka njoftuar Bordin për bllokimin e ekzekutimit të të gjitha pagesave si rezultat i mungesës së udhëheqësit menaxherial, në këtë rast Drejtori i përgjithshëm apo, në mungesë të tij, Zëvendësdrejtori i përgjithshëm i RTK-së.

“Këto bllokime financiare dhe menaxheriale ndikojnë gjithashtu edhe në procesin e prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve programore”

“Me këtë rast, duke iu referuar kësaj situate të bllokuar financiare dhe menaxheriale, e cila paralizon të gjitha operacionet dhe aktivitetet në RTK, në kushte kur pjesëmarrës në mbledhjet e bordit të RTK-së ishin vetëm gjashtë (6) anëtarë, dhe pas konsumimit të mundësive për të emëruar një udhëheqës me pjesëmarrje të të gjithë anëtarëve , Bordi si organ kolegjial dhe mbikëqyrës me qëllim të zhbllokimit të krizës si mundësi e vetme, ka vendosur për plotësimin e rregullores nr. 22/24 për rregullimin e procedurave të konkursit në RTK dhe Statutin nr. 1/22, duke rregulluar procesin e votimit të Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të përgjithshëm me shumicë të thjeshtë votash. Me këtë rast, Bordi i RTK-së emëroi edhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të përgjithshëm, z. Hysen Hudozi, i cili punon në RTK që nga viti 2002 dhe ka pasur pozita të ndryshme menaxhuese dhe profesionale”, ka njoftuar Bordi i RTK-së. /Zëri