Limaj prezanton dy aderime në Nismë: Po na bashkohen intelektualë me ide të qarta
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka prezantuar të martën dy aderime, Gëzim Ibrahimin dhe Ismet Hajdinin.
Këto aderime kreu i Nismës i quajti lajm i jashtëzakonshëm, derisa tha se subjektit të tij po i bashkohen njerëz intelektualë e veprimtarë me ide të qarta.
“Sot kam kënaqësinë që para juve dhe opinionit publik, para anëtarësisë së gjerë të Nismës Socialdemokrate të bëjë prezantimin e ardhjes së re. Një ekip të njerëzve të angazhuar me përvojë intelektuale, familjarë, aktivistë e veprimtarë, që një pjesë e tyre një jetë ia kanë kushtuar jetës publike dhe angazhimit publik. Sot prezantojmë para jush doktorin, stomatologun, ne jemi me një përvojë të jashtëzakonshme edhe legjislative, edhe ekzekutive me Ismet Hajdinin, i cili nga sot po i bashkohet Nismës”, u shpreh Limaj.
I aderuari Gëzim Ibrahimi përmendi dy arsye kryesore që ndikuan për t’iu bashkuar Nismës Socialdemokrate.
Sipas tij, gjendja momentale në politikë të brendshme dhe të jashtme, shëndetësi, arsim e ekonomi kanë nevojë për qeverisjen e Nismës.
Ibrahimi tha se kryetari Limaj ka ide, vullnet dhe përvojë të mjaftueshme për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë.
Arsye tjetër Ibrahimi tha se gjatë qeverisjeve të mëhershme ku ka qenë Nisma Socialdemokrate - Anamoravë, ka pasur një përkrahje të jashtëzakonshme.
Ndërkaq, ish-ministri Fatmir Matoshi, i cili tashmë ka aderuar në Nismën Socialdemokrate, tha se përgjatë muajve të fundit kanë ardhur në përfundim se ka ardhur koha për NS-në në rajonin e Anamoravës. /EO