Rihapet shkolla “Ahmet Gashi”, pas renovimit me donacion nga Ambasada Amerikane
Pas përfundimit të renovimit së shkollës mesme të lartë “Ahmet Gashi” në Prishtinë, të martën u mbajt ceremonia e hapjes së saj. Ky renovim është donacion nga Ambasada Amerikane në Kosovë.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka thënë se si Qeveri e MASHTI, prioritet i tyre është përmirësimi i kushteve dhe cilësisë në fushën e arsimit.
Ajo ka thënë se ky gjimnaz me dekada ka përgatitur të rinjtë e të rejat.
“Ky gjimnaz me dekada ka përgatitur të rinjtë e të rejat, për t’u dhënë atyre një bazë të fortë. Qeveria e Kosovës e ka në fokus infrastrukturën e shkollave. Qeveria dhe MASHTI do të vazhdojnë të mbështesin nisma të tilla”, ka thënë Nagavci.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se kjo ndihmë simbolizon edhe partneritetin e Kosovës me SHBA-në, partneritet që sipas tij do të vazhdojë të rritet.
“Ky është kontributi i dytë i madh që është dhënë për këtë shkollë nga Qeveria amerikane. Siç e dini, kjo shkollë ka pasur nevojë për ndryshime dhe përmirësime rrënjësore që t’u mundësojë mësimdhënësve dhe për nxënësit. Shkolla do t’u ofrojë nxënësve hapësirë më të sigurt dhe të pastër. Ndër prioritetet e Ambasadës Amerikane në Kosovë është mbështetja e kosovarëve të rinj. Ky donacion jo vetëm që përmirëson infrastrukturën e shkollës, por simbolizon edhe partneritetin e Kosovës me SHBA-në. Kemi mundësinë që të kemi një partneritet i cili do të vazhdojë të rritet”, u shpreh ambasadori.
Kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, ka thënë se si kryeqytet janë të fokusuar të investojnë në arsim.
“Ky renovim është dëshmi e fuqisë dhe partneritet të përbashkët në rolin e transformimit të arsimit. Kontributi i ambasadës amerikane sigurojnë që nxënësit tanë t’i kenë kushtet e duhura. Në Prishtinë jemi të përkushtuar që të investojmë në arsim. Po investojmë në të ardhmen e të rinjve tanë. Me ndihemi e aleatëve tanë ne po hedhim themelet për një të ardhmen më të ndritur për fëmijët tanë”, ka thënë ai.
E drejtori i Shkollës, Haxhi Meta, tha se është falënderues ndaj Ambasadës Amerikane dhe popullit amerikan, për ndihmat që është duke vazhduar për qytetarët e Kosovës që nga paslufta. /EO