Prishtina organizon konferencën e dytë për investitorë
Më 20 shtator 2024, Prishtina do të jetë qendra e vëmendjes për investitorët gjatë “Konferencës së dytë për investitorë”.
Kjo iniciativë është pjesë e projektit vizionar “Prishtina 2030”, që synon zhvillime të mëdha për kryeqytetin.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, njoftoi për këtë event në rrjetet sociale, duke theksuar fokusin në projekte praktike, gjelbërim dhe pastërti, si dhe përjetime të reja për qytetarët.
Rama ftoi investitorët e interesuar që t’i prezantojnë “projekt-propozimet e tyre”.
“Kemi vendosur që me 20 shtator të organizojmë konferencën e dytë të investitorëve, ku kemi ftuar të gjithë investitorët e interesuar që të prezantojnë projekt-propozimet e tyre. Ju presim që bashkë të realizojmë vizionin për Prishtinën e transformuar”, tha Rama.