Një paralele e klasës së dytë nga shkolla “Dardania“ bojkoton mësimin, shkak orari i nxënësve
Nxënësit e shkollës fillore të mesme të ulët (SHFMU), Dardania në Prishtinë, kanë njoftuar se kanë bojkotuar mësimin.
Ky bojkotim sipas prindërve ka ardhur si shkak i mospërshtatjes së orarit.
Në adresën e Lajmi.net, ka ardhur një ankesë nga një prind i cili ka shprehur shqetësimet e prindërve në lidhje me fëmijët e tyre.
Sipas tyre një fëmijë i klasës së dytë i moshës 8 vjeçare të jetë në mësim gjatë pasdites nga ora 15:00 deri në 18:25 është një orar tejet i papërshtatshëm sepse çrregullon tërësisht dinamikën e tyre.
“Ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4 në SHFMU “Dardania”, shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me orarin e propozuar për vitin shkollor 2024/2025, i cili vendos orarin për fëmijët tanë nga ora 15:00 deri në 18:25”, ka thënë ai.
Ata janë shprehur të shqetësuar me faktin pasi sipas tyre shumë prindër të cilët punojnë i dërgojnë fëmijët në qëndrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, gjë që do të thotë se ata mund të merren vetëm pas orës 19:00.
“Ky orar është tejet i papërshtatshëm për fëmijët tanë të vegjël, pasi çrregullon tërësisht dinamikën e tyre ditore. Shumë prej nesh, si prindër që punojnë, i dërgojmë fëmijët në qëndrim ditor nga ora 07:30 e mëngjesit, dhe ky orar i ri do të thotë se ne mund t’i marrim fëmijët vetëm rreth orës 19:00 pasdite”, thuhet tutje.
Saktësisht prindërit e klasës së 2/4, kanë thënë se nuk mendojnë se po merren veprime që kanë të bëjnë në interes të fëmijëve, ata thonë se veprime të tilla mund të merren vetëm në rast të situatave të jashtëzakonshme.
“Për më tepër, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni 50, Pika 4, thekson qartë se “Të gjitha veprimet që kanë të bëjnë me fëmijët, të ndërmarra qoftë nga institucionet e pushtetit publik, qoftë nga institucionet private, do të jenë në interesin më të mirë të fëmijëve”.
“Prandaj, ne, prindërit e nxënësve të klasës II/4, kemi vendosur unanimisht të bojkotojmë procesin mësimor nga e Hëna date 16.09.2024, deri sa të na ofrohet një orar më i përshtatshëm për fëmijët tanë”, thuhet në shkresë. /lajmi.net