Kurti kërkon falje për gabimin në zgjidhjen e detyrës matematikore
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërkon falje nxënësve të klasës së shtatë të shkollës “Ali Hadri”, për ekuacionin matematikor të cilin e zgjidhi gabim.
Kurti tha se në sekondën e parë i është dukur që ekuacioni ka zgjidhjen x=5, por thekson se po të mendonte pak do ta shihte se zgjidhja e saktë ishte x=0.
Tutje, Kurti thotë se u ndje i gëzuar që nuk ishte nxënës në ato momente.
“…më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese”,shkruan Kurti.
Ai u thotë nxënësve se ekuacionin e ditën më mirë se kryeministri.
“Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0”, shkruan Kurti.
Postimi i tij i plotë:
Kërkimfalje nxënësve të klasës 7/1 të shkollës fillore “Ali Hadri”
Të dashur nxënës,
Ju falemnderit për mikpritjen e përzemërt në ndërtesën e re të shkollës suaj. Gëzimi juaj sot më mbushi me mall për bankat shkollore. Por, më duhet të them që tash jam i gëzuar që nuk isha nxënës në atë çast, sepse nuk do të merrja notë kaluese. Ekuacioni i thjeshtë matematikor m’u duk që në sekondën e parë që e ka zgjidhjen x=5; pra pesë, porsi pesëshet që ua dëshiroj juve. Po të mendoja pak, do ta shihja që zgjidhja e saktë është x=0, por në atë rast, nuk besoj që do të merrja mundin të merrja shkumësin e të shkruaja në dërrasën e klasës suaj. Ju kërkoj falje. Zgjidhja e atij ekuacioni, ashtu qysh ju e dini më mirë se kryeministri i juaj, është x=0.
Ju përshëndes e ju dua fort,
Albini