U raportua se KFOR-i i kërkoi largimin e veturës, sqarohet Policia e Kosovës
Dyshimet se një veturë e Policisë së Kosovës është larguar nga ushtari italian i KFOR-it në afërsi te urës së Ibrit në Mitrovicë janë mohuar nga Policia e Kosovës.
Policia informon se zyrtari policor është larguar me kërkesë të ushtarit me arsyetimin se janë duke bërë disa fotografi të karabinierëve.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka thënë se Policia është larguar pasi që ushtari italian shprehu dëshirën që të shkrepë disa fotografi të karabinierëve.
“Ka shku zyrtari policor me e parku veturën aty, i është afruar një ushtar italian dhe i ka kërkuar që të largoj përkohësisht veturën për me i bo disa fotografi të veturave të parkuara të KFOR-it. Ata i kanë kërkuar me u largu vetëm për pak”, ka thënë Elshani për Insajderin
Pamjet e publikuara tregojnë se si një veturë e Policisë së Kosovës parkon në afërsi të urës derisa i afrohet një ushtar, bisedon me të, dhe më pas zyrtari i Policisë së Kosovës e largon veturën e parkuar.