Bajrami i reagon Muratit për raportin e BB-së: Me çka është rritë cilësia e jetës ministër, mashtrimet s’kalojnë
Foto: Laura Hasani

Bajrami i reagon Muratit për raportin e BB-së: Me çka është rritë cilësia e jetës ministër, mashtrimet s’kalojnë

Aktuale June 08, 2024 - 20:08

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Murati në lidhje me raportin e Bankës Botërore për jetëgjatësinë e qytetarëve në vendet e Ballkanit.

Bajrami në Facebook thotë se LVV-ja merret me raporte për perceptimin e jetëgjatësisë në kohën kur Kosova vazhdon të tkurret nga ikja e të rinjve.

“Derisa po tentojnë të mashtrojnë qytetarët se është rritur “cilësia e jetës në Kosovë”, partisë së propagandës po ia kujtoj se për gati katër vjet s’ka sjellë asnjë investim serioz të huaj; s’ka investime kapitale; s’ka rrugë të përfunduara siç i mashtronin qytetarët gjatë fushatës se brenda një viti do të përfundojnë rrugën për Podujevë, për Gjilan, për Mitrovicë etj.”, ka deklaruar Bajrami.

Deputetja opozitare thotë se ende është i freskët dështimi i Qeverisë për ta anëtarësuar Republikën e Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Ka heshtje dhe miratim nga partia e mashtrimit dhe propagandës për Shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes që koordinohet me Radoiçiqin”, vijon tutje Bajrami.

Sipas saj po ashtu duhet rikujtuar se shkaku i kësaj Qeverie, Kosova vazhdon të humbë qindra miliona euro nga sanksionet e BE-së.

“Partia e propagandës dhe mashtrimeve nuk ia solli asnjë njohje Kosovës për gati katër vjet keqqeverisje Qeveria po vazhdon që buxhetin ta ‘alokojë’ te dostat përmes tenderëve njëburimor. Në krye të arsimit kemi një shkelëse të Kushtetutës. Kanë mashtruar që kanë premtuar ndërtimin e 160 çerdheve e ende s’i kanë ndërtuar as 10 prej tyre”.

Bajrami thotë se Murati nuk po e thotë të vërtetën për cilësinë e jetës ën Kosovë.

“Ministri i dështimeve paska thënë ”është rritë cilësia e jetës”

Me çka ministër?

Me rritje dyfish të çmimeve të produkteve ushqimore/rritje të varfërisë?

Me rritje të çmimit të energjisë elektrike?

Me investime zero në shëndetësi?

Me investimet zero në ambient?

Me investime zero në energji të ripërtritshme?

Apo me rritje të korrupcionit?

Ka rrezik që Hekurani beson që Albin Kurti edhe shpirtin e tij e të qytetarëve të këtij vendi e ka në dorë.

Jo, mashtrimet nuk kalojnë, me propagandë nuk mund të qeverisni më”, ka shkruar Bajrami.