Cameron nesër vizitë në Tiranë, zbardhet agjenda
Ish-kryeministri britanik David Cameron, tashmë sekretar shteti për çështjet e jashtme në qeverinë e kryeministrit Rishi Sunak, pritet të vizitojë Tiranën nesër, 22 maj.
Cameron fillimisht do të zhvillojë një takim me kryeministrin Edi Rama.
Pas takimit, kryeministri Rama dhe sekretari Cameron do të zhvillojnë konferencë për shtyp në orën 12:50 te biblioteka, Cod.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe pritet të takohet më pas me Presidentin Bajram Begaj në orën 14:30.
Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe gjithashtu do të takohet edhe me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.
Burime diplomatike I thanë gazetarit të Top Channel Muhamed Veliu se në fokus të vizitës nuk është ndonjë çështje specifike, por vijimi i mbështetjes britanike për Shqipërinë.
Njëkohësisht, tregon rikthimin e vëmendjes pas Brexit për Ballkanin Perëndimor nga Britania e Madhe. Disa ditë më parë, kryeministri Rama pati një bisedë telefonike me homologun Rishi Sunak, i vënë nën presion nga opinioni publik dhe të tijtë brenda Partisë Konservatore për kalimet e Lamanshit me gomone të emigrantëve ilegal.
Në kryeqytet kanë nisur përgatitjet, ndërsa në sheshin “Nënë Tereza” është vendosur posteri ku shkruhet “Mirë se vjen Lord Cameron”.
Në Tiranë, Lord Cameron pritet të vlerësojë, koordinimin me Ministrinë e Punëve të Brendshme në parandalimin e emigracionit ilegal dhe bashkëpunim e SPAK me NCA kundra krimit të organizuar.
Në 2022, mbërritën me gomone 13 mijë shqiptarë, kjo shifër ra me 90% gjatë 2023 ku shkuan vetëm 900 shqiptarë, ndërsa gjatë periudhës Janar-Prill 2024 hynë me gomone vetëm 20 shtetas shqiptarë.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, thotë se “në mënyrë që kjo vizitë të mos mbetet vetëm në kuadrin e falënderimeve dhe vlerësimeve, është një mundësi e mirë për qeverinë shqiptare në të këmbëngulurin e shtimin të vizave për punonjës sezonal dhe vizat e punës për shqiptarët. Emigracioni ilegal nuk mund të luftohet vetëm me dëbimet e përjavshme çdo të enjte me charter Londër- Tiranë. të shqiptarëve pa dokumente në shtetin ishull”./TCH