Zëdhënësi i Qeverisë: Letra e Gërvallës dërguar KiE-së, ripërtëritje e premtimit të kryeministrit Kurti
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës Përparim Kryeziu ka reaguar pas letrës që ministrja e punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla, i ka dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Tiny Kox.
Sipas Kryeziut, kjo letër është ripërsëritje e premtimit që kryeministri Kurti ka dhënë më 18 mars 2023 në Ohër, e më 2 maj 2023 në Bruksel, kur ka ofruar gatishmërinë për të shkruar një draftstatut për Asociacionin bazuar në Nenin 7, ndërlidhur me Nenin 10 të Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt 2023).
“Oferta e parë e kryeministrit Kurti ishte me tri shtylla që duhej të dakordoheshin paraprakisht (I. Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese nga 23 dhjetori 2015; II. qëndrimi evropian i znj. Federica Mogherini më 24 gusht 2015; dhe, III. qëndrimi amerikan i zyrtarëve të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar më 30 janar 2023). Oferta e dytë ishte e frymëzuar nga modeli kroat e i cili është gjithashtu në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës. Të dy këto oferta të kryeministrit Kurti janë refuzuar. Të shohim a do të pranohet për herën e tretë”, shkroi Kryeziu.
Ndër të tjera, ai u shpreh se janë të gatshëm ta zbatojnë draftstatutin, në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Nëse bashkësia ndërkombëtare e pranon tash, një vit pas, një oferte të tillë ne jemi të gatshëm ta zbatojmë në kuadër të zbatimit të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe në kontekst të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Por kjo varet nga bashkësia ndërkombëtare, jo nga Qeveria jonë”, ka përfunduar Kryeziu në profilin e tij zyrtar në Facebook. /Zëri