Reuten: Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

Reuten: Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret, e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

Aktuale May 10, 2024 - 10:42

Eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, thotë se Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet për t'u bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe e quan të padrejtë kushtëzimin me Asociacionin.

Zëvendësi i ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, Gabriel Escobar, ishte i pari që paralajmëroi se Kosova duhet të bëjë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit para se ta mendojë anëtarësimin në Këshillin e Evropës.

Këto deklarata diplomati amerikan i bëri gjatë muajit mars, derisa ishte për vizitë në Prishtinë.

Tani kur kanë mbetur një javë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave në Këshillin e Evropës, Kosovës po i kërkohet nga shtetet kryesore evropiane që ta dërgojë një draft-statut për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese.

E me këtë qasje të shteteve mike nuk po pajtohet kryeministri i vendit, Albin Kurti, i cili dje gjatë një konference për medie tha se kushtëzimi i anëtarësimit në KiE me Asociacionin është absurd.

Me vëmendje këto zhvillime i ka përcjellur edhe eurodeputeti holandez, Thijs Reuten.

Ai thotë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

“Shpresoj që Kosova do të rikthehet në agjendë për javën e ardhshme kur do të mblidhet Komiteti i Ministrave në Këshillin e Evropës, sepse Kosova me të vërtetë i ka plotësuar kriteret për tu anëtarësuar në këtë organizatë. Raportin e Dora Bakoyannisit e kanë mbështetur shumica e shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, prandaj Kosova duhet të rikthehet në agjendë”, thotë ai.

Deputeti holandez e sheh të padrejtë kushtëzimin e Kosovës me Asocacionin e komunave me shumicë serbe.

Ai i ka bërë thirrje shteteve anëtare të Këshillit të ndryshojnë qëndrim para mbledhjes së Komitetit të Ministrave që do të mbahet javën e ardhshme.

“Më zhgënjim po e shoh se disa shtete të rëndësishme tani po kërkojnë diçka nga Kosova që nuk ka qenë e paraparë më herët për tu bërë anëtare në Këshillin e Evropës. Me të vërtetë mendoj se është një qasje e padrejtë. Prandaj po i bëj thirrje këtyre shteteve që të ndryshojnë qëndrim. Kosova e ka pranuar se do të punojë për themelimin e Asociacionit, por kjo çështje nuk duhet të përfshihet në Këshillin e Evropës” , shprehet eurodeputeti holandez.

Dy shtetet kryesore të Evropës, Franca dhe Gjermania, kanë kërkuar kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në KiE me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. /Tëvë1