Kurti takon parlamentarët italianë, kërkon mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në KiE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim gjatë ditës së sotme, deputetë nga Grupi Parlamentar për Punë të Jashtme të Italisë, Emanuele Loperfido dhe Lia Quartapelle Procopio.
Përgjatë bisedës, siç njofton Zyra e Kryeministrit kryeministri theksoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona dhe i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës, duke përmendur dhe fushën e sigurisë ku Italia ka pjesëmarrje të lartë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, që tregon për përkushtimin e qëndrueshëm ndaj sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon.
Më tej, ai i njoftoi deputetët me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë të dëshmuar edhe nga rankimet ndërkombëtare, e po ashtu veçoi programin e qeverisë, sidomos politikat e ndërmarra për zhvillim të qëndrueshëm, shpërndarje të barabartë e barazi sociale.
Duke folur për integrimin e komuniteteve pakicë, kryeministri theksoi kornizën e avancuar ligjore të Kosovës dhe të drejtat e garantuara me kushtetutën e vendit tonë, që shkojnë edhe përtej standardeve evropiane, të drejta këto të njohura e konstatuara edhe nga raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës.
Nga parlamentarët italianë kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Kjo mbështetje është afirmim i vlerave të Këshillit të Evropës dhe njohje e progresit demokratik të shtetit tonë.