“Kolla e mirë”, ende prezente në Kosovë

“Kolla e mirë”, ende prezente në Kosovë

Aktuale April 25, 2024 - 10:59

Në Kosovë ka rritje të lehtë të rasteve me “Kollën e mirë”, e njohur ndryshe si ‘Pertussis’, krahasuar me vitet e fundit.

Sipas profesionistëve shëndetësorë, kjo sëmundje ngjitëse prek çdo moshë, por më së shumti fëmijët deri në 1 vjeç.

Mjeku Naim Sveçla ka thënë për Ekonominë Online se aktualisht janë 14 raste të verifikuara me “Kollën e mirë”, ose “Pertussis”.

“Në bazë të të dhënave që i kemi nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, të cilët janë në monitorim të rasteve, janë 14 raste të verifikuara me laborator për ‘Kollën e mirë’, ose ‘Pertussis’. Kemi të bëjmë me një sëmundje bakteriale e cila edhe te njerëzit që janë të vaksinuar, bie niveli i antitrupave, për atë është shumë mirë prindërit të jenë të vetëdijshëm dhe t’i bijnë fëmijët t’i vaksinojnë sipas kalendarit të vaksinimit që ka hartu ose ka përpilu IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë Sfeçla.

Ai ka shtuar se më të rrezikuar janë fëmijët e moshës deri në 1 vjeç, pasi sipas tij nuk e kanë të trashëguar nga nëna mbrojtjen nga kjo sëmundje.

“Rreziku ma i madh për ‘Kollën e mirë’ është te fëmijët nën 1 vjeç. Zakonisht këta fëmijë të cilët nuk kanë mbrojtje do me thënë nuk kanë trashëgu nga nëna mbrojtjen kundër ‘Pertussis’-it atëherë munden me u infektu, rreziku i madh është në moshën nën 1 vjeç”, ka theksuar Sveçla.

Mënyra më e lehtë për lehtë për parandalimin e kësaj sëmundje është imunizimi ose vaksinimi, ka thënë mes të tjerash mjeku familjar, i cili edhe ka apeluar te prindërit që t’i dërgojnë fëmijët për t’i vaksinuar.

Sveçla ka treguar edhe për simptomat e kësaj sëmundjeje, duke theksuar se janë të ngjashme me ato të gripit.

“Simptomat janë të ngjashme me ftohjen ose gripin. Identifikimi te këta fëmijë është problem të bëhet. Në qoftë se kalojnë më shumë se dy javë, atëherë e kemi pak më problem për shkak se antibiotikët veprojnë ma ngadalë. Përndryshe zgjidhja e vetme është imunizimi”, ka thënë mjeku Sveçla.

Fushatat kundër vaksinimit dhe refuzimi i prindërve për mbrojtje të fëmijëve tyre, sipas mjekëve, do t’i rikthejnë sëmundjet e rrezikshme ngjitëse të cilat janë çrrënjosur me vite. /EO