Dështimi i votimit në veri, Kurti fton kryetarët në Zveçan e Zubin Potok të kthehen në zyrë
Foto: Laura Hasani

Dështimi i votimit në veri, Kurti fton kryetarët në Zveçan e Zubin Potok të kthehen në zyrë

Aktuale April 22, 2024 - 09:33

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, reagoi të dielën pas dështimit të votimit për largimin e kryetarëve nga katër komunat në veri të vendit.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti kërkoi që kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, të shkojnë për ta ushtruar detyrën e tyre.

“Ata që nuk i kanë dashur këta katër kryetarë komunash në veri, sonte, me keqardhje duhet t’ua urojnë atyre pozitat. E kryetarët e Zveçanit dhe Zubin Potokut, Ilir Peci dhe Izmir Zeqiri, bëjnë mirë që më në fund të shkojnë në zyrat e tyre dhe ta ushtrojnë në mënyrë të papenguar detyrën në objektet zyrtare të komunave të Republikës së Kosovës”, shkroi Kurti.

Kurti po ashtu kërkoi nga Bashkimi Evropian heqjen e masave sanksionuese ndaj Republikës së Kosovës.

“Një vit pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në komunat me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, të cilat u mbajtën më 23 prill të vitit 2023, e u njohën nga BE-ja dhe SHBA-ja, përkatësisht QUINT-i, sot u mbajtën ‘zgjedhjet për shkarkim’ të këtyre kryetarëve”.