Kosova kontakton shtetet e QUINT-it dhe institucionet e BE-së, pas ndaljes së autobusëve nga Serbia

Kosova kontakton shtetet e QUINT-it dhe institucionet e BE-së, pas ndaljes së autobusëve nga Serbia

Aktuale April 17, 2024 - 12:08

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka bërë të ditur se kanë informuar shtetet e QUINT-it, institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth situatës ku dhjetëra autobusë me qytetarë nga Kosova janë ndaluar në kufirin Kroaci – Serbi dhe nuk po lejohen të vazhdojnë e as të kthehen pas.

Sipas MPJ-së, më 16 prill, në orët e vona, pak orë pas votimit në favor të Kosovës të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, institucionet janë njoftuar, që në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, ishin ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.

Sipas ministrisë, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas, transmeton Zeri.info.

“Për më tepër, të gjithë udhëtarëve u janë marrë dokumentet personale si dhe ato të autobusëve. Po ashtu, disa prej tyre janë marrë dhe po vazhdojnë të merren në pyetje.

Pas veprimeve arbitrare të Serbisë, institucionet tona, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar shtetet e QUINT-it, institucionet e BE-së dhe të tjera ndërkombëtare rreth kësaj situate dhe presim që kjo situatë të përfundojë shpejt”, thuhet në reagimin e MPJ-së.

Ministria ka apeluar të evitohen lëvizjet e qytetarëve dhe bashkatdhetarëve nëpër Serbi.

“Apelojmë te të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.

Duke marrë parasysh faktin që në qarkullim janë shumë lajme të rreme, të cilat synojnë përhapjen e frikës dhe kaosit, ju lusim të ndiqni @Kosovo_Police rreth përditësimeve më të fundit zyrtare në këtë drejtim”.

“Ky veprim hakmarrës, i paralajmëruar para pak ditësh nga vetë presidenti i Serbisë Vuçiq, i cili vjen pas dështimit të propagandues kundër anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, duhet të marrë urgjentisht përgjigjen e merituar nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhet në reagim. /Zëri