25-vjetori i masakrës së Poklekut, Osmani: Urdhërdhënësit lëre që s’u dënuan, por po marrin edhe medalje nga Vuçiqi

25-vjetori i masakrës së Poklekut, Osmani: Urdhërdhënësit lëre që s’u dënuan, por po marrin edhe medalje nga Vuçiqi

Aktuale April 17, 2024 - 11:42

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeparlamentarin Glauk Konjufca dhe kryetarin e Drenasit Ramiz Lladrovci, kanë bërë homazhe në fshatin Poklek.

Osmani, përveç thirrjes për drejtësi, deklaroi se 17 prilli është prej përvjetorëve më të rëndë për Kosovën, si shkak i masakrave të kryera.

“Sot, më 17 prill, është një prej përvjetorëve më të rënda për Republikën e Kosovës për shkak se ne përkujtojmë shumë masakra të kryera ndaj civilëve, e këtu në Poklek është ndër masakrat më të tmerrshme, një holokaust për nga ngjashmëria që është kryer ndaj fëmijëve, pleqve, grave, foshnjave edhe 6-muajshe. Në Poklek, në shtëpinë që do ta vizitojmë së shpejti, janë djegur disa herë radhazi civilët, të cilët nuk u kursyen pavarësisht moshës, janë ekzekutuar foshnja, të cilët e tëra çfarë donin ishte të jetonin të sigurt, me prindërit e tyre të lirë”, tha Osmani.

“Më e vogla e kësaj masakre kishte emrin Liri, 6-muajshe, si simbolikë për sakrificën që edhe Liria edhe familja e saj do ta bënin në mënyrë që ne sot te jetojë të lirë. Në këtë përvjetor dhe çdo përvjetor tjetër thirrja jonë është për drejtësi, ata që urdhëruan këtë masakër dihen me emër dhe mbiemër. Qendra për të Drejta Humanitare ka mbledhur provat për personin që atë ditë ishte në krye te forcave policore që kanë djegur e ekzekutuar këto familje, por për fat të keq ata që kanë urdhëruar lëre që nuk janë prapa grilave, por kanë marrë medalje nga Aleksandar Vuçiq, i cili sot është në krye të Serbisë”, u shpreh Osmani.

Pas homazheve ajo vizituar edhe shtëpinë brenda së cilës u dogjën civilë, fëmijë, gra e burra. /EO