Haxhiu thotë se Departamentit për Krime Lufte i nevojiten prokurorë shtesë
Foto: Laura Hasani

Haxhiu thotë se Departamentit për Krime Lufte i nevojiten prokurorë shtesë

Aktuale April 30, 2024 - 14:01

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se që nga momenti që e ka pranuar detyrën ka punuar në adresimin e krimeve të luftës që kanë ndodhur në Kosovë.

Ajo ka folur për disa prej hapave që i kanë marrë si ministri në aspektin e krimeve të luftës që janë bërë në Kosovë, kjo pasi raportoi para Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione.

“Si ministri në vazhdimësi kemi punuar në adresimin e krimeve të luftës dhe gjenocidit. Kemi filluar me themelimin e një Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës në Kosovë. Tani instituti është duke u përgatitur që të adresojë krimet e luftës, që përgjegjësi kryesore ka hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës”.

“Nuk kemi dokumentin institucional të krimeve të luftës që Serbia i ka bërë në Kosovë. Jemi duke punuar në dokumentin që është ‘Strategjia për Drejtësinë Tranzicionale’, ky është një dokument i rëndësishëm që adreson kërkesat apo nevojat që kanë viktimat e luftës”, ka thënë Haxhiu.

Image

Ajo ka thënë se është e nevojshme që në Departamentin për Krimet e Luftës në kuadër të Prokurorisë Speciale të Kosovës të ketë numër më të madh të prokurorëve.

“I kemi ndarë 100 mijë euro si MD që Këshilli Prokurorial të rekrutojë edhe pesë prokurorë të tjerë, pasi tre nuk janë të mjaftueshëm”, tha Haxhiu. /klankosova

\