Ministri i Jashtëm i Shqipërisë viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë viziton ish-krerët e UÇK-së në Hagë

Aktuale April 17, 2024 - 11:40

Ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka vizituar sot ish-krerët e UÇK-së në Hagë.

Hasani tha se ish-presidenti Hashim Thaçi ishte në gjendje të mirë shpirtërore dhe optimist se drejtësia do të triumfojë, transmeton Zeri.info.

“Sot në Hagë u takova me presidentin Hashim Thaçi, e gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do të triumfojë. Ishte vërtet mbresëlënëse kuraja e tij, ekuilibri, qetësia dhe vizioni që ka për të ardhmen. I vetëdijshëm që proceset gjyqësore janë një maratonë me tatëpjeta dhe përpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht”.

“I përcolla Thaçit urimet më të mira nga drejtuesit më të lartë të Qeverisë dhe shtetit, kryeministrit Edi Rama dhe kolegëve të tjerë, si dhe sigurinë që ashtu si më parë, mbështetja jonë s’do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë”, ka thënë Hasani në një video të publikuar në Twitter.

Ai tha se diplomacia shqiptare, ashtu si edhe më parë, do të ngulë këmbë në zbatimin e standardeve për një proces të hapur dhe transparent në respektim të plotë të të drejtave të njeriut bazuar në konventat ndërkombëtare. /Zëri