Gërvalla: Kosova është e mbushur me varre dëshmorësh e martirësh, kjo na kujton sa i madh është çmimi i lirisë
Foto: Laura Hasani

Gërvalla: Kosova është e mbushur me varre dëshmorësh e martirësh, kjo na kujton sa i madh është çmimi i lirisë

Aktuale April 14, 2024 - 08:50

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla ka shkruar për Masakrën në Lubizhdë të Hasit të Prizrenit, ku më 13 prill, u shënua 25-vjetori i saj.

Gërvalla përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka thënë se Kosova është e mbushur me varre dëshmorësh dhe martirësh të lirisë, të cilët na kujtojnë se sa i madh është çmimi i lirisë.

“Kosova e mbushur me varre dëshmorësh dhe martirësh të lirisë na kujton sa i madh ishte çmimi i lirisë, sakrifica dhe vuajtjet e popullit tonë në njërën anë dhe sa të tmerrshme krimet serbe në anën tjetër”, shkroi Gërvalla në Facebook.

“25 vjet me parë, në Lubizhdë të Hasit të Prizrenit, forcat kriminale serbe masakruan civilët e pafajshëm, duke mos kursyer as gratë dhe fëmijët”.

“Në nderim të sakrificës së tyre, bashkë me Kryeministrin Kurti, Ministrin Çeku, deputetë dhe qytetarë nga e gjithë Kosova, bëmë homazhe dhe nderime te varret e tyre në Lubizhdë”.