Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Kurti mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës

Aktuale April 14, 2024 - 08:32

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së edicionit të parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës, organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Në fjalën e tij, kryeministri Kurti tregoi se si është e pamundur të flasësh për historinë e vendit tonë pa përfshirë dhe diasporën.

“Në shumë mënyra, diaspora jonë përfaqëson një tejzgjatje të natyrshme të komuniteteve tona përreth botës. Është një diasporë e lidhur shumë me vendlindjen e tyre”.

Ai foli dhe për rolin e kontributin e mërgatës në shtetndërtimin tonë e në shumë sfera të ndryshme veçanërisht në ekonomi dhe impaktin në zhvillimin e vendit.

“Diaspora e Kosovës ka formësuar në mënyrë konkrete mënyrën sesi vendi ynë ndërvepron me botën, duke marrë përsipër rolin jozyrtar të qytetarit ambasador. Kjo është dhe arsyeja pse ne themi që kemi patur ambasadorë dhe ambasada që para se të arrinim lirinë në 1999 dhe para se të shpallnim pavarësinë në 2008-tën, dhe ata ishin përfaqësues të mërgatës sonë në Evropën Perëndimore, në Mbretërinë e Bashkuar, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në të gjithë botën.” u shpreh kryeministri.

Ai përmendi dhe rastin e Kushtrim Xhaklit në Finlandë, i cili bashkëkrijoi me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës platformën KosovaDiplo365, profesorin Besnik Pula i cili kontribuoi në krijimin e Fondit Sovran, por edhe rastin më të fundit të kompanisë nga diaspora në Zvicër e cila fitoi një ankand publik për ndërtimin e paneleve solare 100MW në Kosovë, duke patur ndikim pozitiv në reformimin e të ardhmes në energji.

“Pra, ky është thelbi i kësaj shkolle, për të nxjerrë në dritë më shumë njohuri se si ne të gjithë mund të përmirësojmë angazhimin e diasporës, si në kontekstin e zhvillimit të vendeve tona përkatëse, ashtu edhe për të eksploruar dhe shqyrtuar risitë se si mund të funksionojë angazhimi i diasporës në forcimin e lidhjeve mes vendeve tona” nënvizoi kryeministri.

Programi i Shkollës për Diplomaci të Diasporës është hartuar me qëllim të kultivimit dhe mbështetjes së krijimit të një rrjeti global të diplomatëve të karrierës, si dhe ngritjen e kapaciteteve të tyre në fushën e diplomacisë së diasporës, si një tematikë që ka filluar të marrë më shumë vëmendje në politikat qendrore në mbarë botën. Diplomatë prej mbi 30 shtete të botës do të na bashkohen në këtë edicionin të parë të Shkollës për Diplomaci të Diasporës.

Pjesëmarrëse në ceremoni ishin edhe zëvendëskryeministrja Donika Gërvalla Schwarz dhe zëvendësministrja Liza Gashi