FSK-ja mirëpret pesë shtete për të shkëmbyer përvojat në “Javën Ndërkombëtare të Kadetëve”
Foto: Laura Hasani

FSK-ja mirëpret pesë shtete për të shkëmbyer përvojat në “Javën Ndërkombëtare të Kadetëve”

Aktuale April 12, 2024 - 17:18

Krahë për krahë, uniforma e ushtrisë së Kosovës po qëndron me uniformën ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

E prezantimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës nga kapiteni po bëhet në gjuhën angleze.

Kjo për shkak se po shënohet Java Ndërkombëtare e Kadetëve me mysafirë nga pesë shtete të botës.

Përveç SHBA-ve, në Akademinë e Mbrojtjes brenda Kazermës “Adem Jashari” në kryeqytet janë edhe kadetë nga Kanadaja, Turqia, Shqipëria e Maqedonia e Veriut.

Major Mimoza Budeci, thotë se përmes kësaj jave, FSK-ja do i njoftoj shtetet pjesëmarrëse për sistemin e edukimit ushtarak të Kosovës.

“Programi është i fokusuar në disa pika të ndryshme, ideja është se këta do të zhvillojnë përveç ligjëratave që i mbajnë në klasë shërbim përvojash ku marrin njohuri për sistemin e edukimit ushtarak që ne e kemi pjesë, ata marrin pjesë edhe në aktivitete të përbashkëta, siç janë aktivitetet në Qendrën Kombëtare në Pompozotin, do të njoftohen me kulturën tonë”, tha komandantja e Qendrës për Studime Universitare, Mimoza Budeci.

I lumtur për pjesëmarrjen e këtyre shteteve është edhe kadeti kosovar, Atdhe Ahmeti.

“Ne gjatë kësaj jave shkëmbejmë përvojat dhe njohuritë tona që kemi marrë gjatë këtyre katër viteve të studimeve me kadetë të ndryshëm në akademi të ndryshme si dhe është një mundësi e mirë si për shkëmbim të njohurive edhe për njoftim dhe shoqëri së cka bëjnë kadetët tjerë jashtë vendit”, tha Ahmeti.

Edhe kadetët e shteteve pjesëmarrëse thonë se është shumë e rëndësishme shkëmbimi i përvojave me njëri tjetrin.

“Është hera e parë që jam në Kosovë dhe janë gjëra të ngjashme që ne i bëjmë në shkollën tonë atje prandaj ndjehem si në shtëpinë time. Jam i privilegjuar të dëgjojmë dhe mësojmë nga një forcë më e vogël”, tha kadati nga ShBA-ja, Aaron Whitlock.

“Edhe për mua është hera e parë që jam në Kosovë, janë gjërat e njëjta që ne i bëjmë në shkollën tonë dhe po ndihem si në shtëpinë time këtu. Ky program është internacional shumë i mirë dhe duam që të vazhdohet edhe në të ardhmen për të ardhur”, tha kadetja nga Turqia, Habibe Uslu.

Ky program i Forcës së Sigurisë së Kosovës do të zgjasë nga 11 deri më 15 prill./teve1