Kurti: Marrëveshjet e Procesit të Berlinit të zbatohen plotësisht

Kurti: Marrëveshjet e Procesit të Berlinit të zbatohen plotësisht

Aktuale April 12, 2024 - 12:44

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i shoqëruar nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Sipas njoftimit të Qeverisë, përgatitjet për samitin e këtij viti në Procesin e Berlinit, që shënon 10-vjetorin e tij, bashkëpunimi rajonal dhe çështjet rajonale e evropiane ishin tema të bisedës, raporton Zeri.info.

Kurti e falënderoi Sarrazinin për angazhimin dhe rolin e Gjermanisë në thellimin e bashkëpunimit rajonal mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor si palë të barabarta.

Duke folur për pritjet nga samiti i radhës, kryeministri theksoi rëndësinë që marrëveshjet e arritura në Procesin e Berlinit të zbatohen plotësisht, duke përfshirë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID kartë mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Po ashtu thuhet se në takim u bisedua edhe për zhvillimet aktuale në vend dhe rajon, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes Republikës së Kosovës dhe Gjermanisë në adresimin e përbashkët të tyre. /Zëri