Inspektorati asgjëson 1154 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit

Inspektorati asgjëson 1154 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit

Aktuale April 11, 2024 - 13:57

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka asgjësuar 1154 disqe për prerjen e hekurit dhe betonit me afat të skaduar.

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përkatësisht inspektorët e tregut kanë realizuar inspektime në disa qytete të ndryshme në vend, gjatë të cilave te disa operatorë ekonomikë kanë hasur në produktet “disqe për prerje të hekurit dhe betonit”.

Produktet në fjalë me afat të skaduar të përdorimit, ishin të markave të ndryshme, dimensioneve të ndryshme dhe me origjinë të vendeve të ndryshme.

Këto produkte si të tilla kanë paraqitur rrezik për përdorim nga konsumatorët dhe në të gjitha rastet operatorët ekonomikë kanë bërë shkatërrimin/asgjësimin e këtyre produkteve me afat të skaduar në prezencë të inspektorëve të Tregut.

Me këtë rast, inspektorët e Tregut kanë bërë largimin e këtyre produkteve nga tregu i brendshëm në sasi prej 1154 copë “disqe për prerje të hekurit dhe betonit”, përkatësisht kanë bërë asgjësimin e tyre, ndaj në secilin rast janë marrë masa ndëshkuese në pajtim me legjislacionin në fuqi.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut, mbetet e përkushtuar të mbrojë shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve, duke eliminuar nga tregu çfarëdo produkti që paraqet rrezik për përdorim, prandaj ftojmë të gjithë qytetarët që nëse hasin në produkte të tilla në treg të lajmërojnë inspektorët e tregut, të cilët do të veprojnë konform legjislacionit përkatës në fuqi dhe kompetencave që ata kanë”, thuhet në njoftimin e MINT-it. /Zëri