Ish-ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj shkon në Kiev të Ukrainës

Ish-ministrja e Jashtme Meliza Haradinaj shkon në Kiev të Ukrainës

Aktuale April 02, 2024 - 11:51

Ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka udhëtuar këto ditë për në Kiev të Ukrainës.

Haradinaj në cilësinë e ish-ministres së Jashtme të Republikës së Kosovës, me ftesë të kryerabinit të Ukrainës Moshe Azman, ka marrë pjesë në përurimin e strehimores nëntokësore në lagjen e komunitetit izraelit “Anatevka”.

“Kisha nderin t’u adresohem të pranishmëve, bashkë me ish-presidenten e Republikës së Kroacisë Kolinda Grabar-Kitarovic, ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë nga qeveria dhe ushtria e Ukrainës, ministra, deputetë e liderë nga të gjitha konfesionet fetare”.

“Mes të tjerash, theksova se populli i Kosovës qëndron përkrah popullit të Ukrainës pikërisht sepse e ndjen peshën e rëndë të luftës për liri e demokraci përballë barbarive të pafundme të Putinit. Nënvizova faktin se ashtu si Ukraina, edhe Kosova po përballet dhe po u reziston suksesshëm ambicieve malinje të Rusisë në Ballkanin Perëndimor, duke shndërruar kështu vendet tona në mburoja kundër zgjerimit të ndikimit rus dhe si kufij kritikë për në sigurinë evropiane dhe transatlantike”, shkroi ajo.

Haradinaj në fjalimin e saj ka shprehur bindjen se miqësia mes Kosovës dhe Ukrainës ka potencialin e madh për të dobësuar kontrollin e Putinit në rajonet tona, duke krijuar një rrugë drejt një të ardhmeje të përbashkët brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

“Për popullin e guximshëm të Ukrainës dhe aleatët tonë të përbashkët; SLAVA UKRAINII”, shkruan ish-kryediplomatja kosovare. /Zëri