Mustafa sfidon një deputete të LVV-së: Dil kallëzo sa e keni ndarë tallin
Foto: Laura Hasani

Mustafa sfidon një deputete të LVV-së: Dil kallëzo sa e keni ndarë tallin

Aktuale March 28, 2024 - 11:28

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, tha se qeveria “Kurti” ka nënshkruar 209 milionë euro për tender njëburimor.

Ai ka deklaruar se shefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ishte arrestuar për kontratat njëburimore.

“Në qeverinë e tyre janë 209 milionë euro pa përfshirë tenderët për rezervat shtetërore që kanë përshkruar kinse si sekret shtetëror. Adnan edhe Vetëvendosja, keni harru që kryeshefi që e keni emëru është arrest për shkak të tenderëve njëburimor. Edhe zyrtar i Vetëvendosjes a çka e keni pasë në parti, është arrest për tenderë njëburimor. Po silleni në rrethin e ngushtë në KEK e po na folni neve për korrupsion”, ka deklaruar Mustafa.

Në fjalën e tij, Mustafa ka përmendur kontratat njëburimore në Ministrinë e Ekonomisë, përfshirë tenderët njëburimorë në KEK dhe Postën e Telekomin e Kosovës.

Sipas Mustafës, nga viti 2012 deri tash janë nënshkruar në këtë dikaster 150 kontrata njëburimore.

“150 kontrata njëburimore, të negociuara në katër sy, janë ulur me një shok, me një dost, me një anëtar të partisë, me një financues të partisë, në një restorant në një dhomë terr qatje, e kanë ndarë tallin. E keni ndarë tallin kolege, kesh sa të duash. Dil këtu, kallxo sa e keni ndarë tallin. 150 kontrata, 120 milionë euro, dil kolege kallxo cila përqindja është e jotja”, tha ai.