Qeveria miraton themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë”

Qeveria miraton themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Korporata e Ruajtjes së Energjisë”

Aktuale March 13, 2024 - 18:05

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria ka miratuar propozimin e Ministrisë së Ekonomisë për themelimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore, “Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE).

Kjo ndërmarrje do të ketë në pronësi dhe do të menaxhojë 125 megavatë të kapacitetit të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri të cilat po i ndërtohen përmes Programit Kompakt mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), në vlerë prej 236 milionë dollarësh.

Themelimi i kësaj ndërmarrje konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt hyrjes në fuqi të Programit Kompakt në një periudhë rekord prej 18 muajsh, ashtu siç është parashikuar nga fillimi.

Ndërmarrja e re publike, “Korporata e Ruajtjes së Energjisë (KRE) do funksionojë si shoqëri aksionare me aksionar të vetëm Republikën e Kosovës, dhe përgjatë 5 viteve të fazës së zhvillimit dhe ndërtimit do të financohet nga Programi Kompakt.

Ndërmarrja KRE do të ofrojë shërbime si:

- Arbitrazhi i energjisë (ruajtjen e tepricave të energjisë së natës kryesisht nga KEK, dhe përdorimin e tyre në orët e ngarkesës së lartë), e që paraqet një optimizim shumë të dobishëm të kostove;

- Balancimi i sistemit energjetik;

- Ndërtimi dhe operimi i sistemit të ruajtjes së energjisë;

- Tregtimi i energjisë së ruajtur në rajon;

- Modelimi përmes teknologjisë informative dhe simulimi i sistemit si dhe

- Shërbime të tjera të rrjetit.

“Shërbimet të cilat do të ofrojë KRE, janë të nevojshme për një sistem të energjisë të balancuar mirë e që ofron shërbim të pandërprerë të energjisë elektrike për qytetarët e bizneset e vendit. E për të zhvilluar sistemin tonë energjetik edhe më tej, këto shërbime janë të domosdoshme edhe për integrimin në rrjet të burimeve të ripërtëritshme të energjisë”

“Ministria e Ekonomisë(ME) në modelin e biznesit ka paraparë misionin, veprimtarinë dhe asetet, analizën e tregut dhe analizën operacionale, planin financiar, skemën organizative të ndërmarrjes, pra parasheh që ndërmarrja do të jetë e vetqëndrueshme që nga viti i parë i vënies në punë të sistemit të ruajtjes së energjisë me bateri, duke marr parasysh nevojën e madhe të vendit tonë por edhe të rajonit për këtë lloj shërbimi”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Ekonomisë. /Zëri