“Rruga e Re” e LDK-së shpërblen me tender mbi 3-milionësh biznesmenin e akuzuar për ryshfet

“Rruga e Re” e LDK-së shpërblen me tender mbi 3-milionësh biznesmenin e akuzuar për ryshfet

Aktuale March 13, 2024 - 14:28

Komuna e Prishtinës i ka dhënë tender në mbi tri milionë euro kompanisë NTSH “Dino” SHPK për ndërtimin e urave në Unazën Qendrore të Prishtinës. Kjo kompani ka pronar multimilionerin Abedin Salihu, i dyshuar për rastin “Brezovica”. Ndërsa “Hotel Brezovica” që është në pronësi të tij ishte zgjedhur nga LDK-ja në vitin e kaluar vend ideal për hartimin e “Rrugës se Re”.

Komuna e Prishtinës në fillim të këtij muaji ka dhënë kontratën për “Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës Qendrore të Prishtinës”.

Image

Në këtë tender që Komuna kishte paraparë një buxhet prej 3.6 milionë eurosh në garë ishin katër kompani.

Kompania që doli fituese me ofertën prej 3.2 milionë eurove është kompania NTSH "Dino".

Image

Abdixhiku e LDK-ja hartojnë “Rrugën e Re” në hotelin e biznesmenit të famshëm për ryshfet

Abedin Salihu që fitoi tenderin në mbi 3 milionë euro në Prishtinë është edhe pronar i hotel “Brezovica”.

Aty LDK-ja vitin e kaluar, kishte mbajtur një takim të rëndësishëm- atë për nisjen e projektit të tyre të titulluar “Rruga e Re”.

Image

Platforma e Abdixhikut “Rruga e Re”, që u paraqit si vizionare në politikëbërjen e skenës kosovare, u finalizua në pronën e një personi që përveç skandaleve me biznes, kishte më herët probleme të mëdha me ligjin.

Abedin Salihu, ishte i përfshirë në rastin e famshëm “Brezovica”.

Multimilioneri Salihu, ishte në arrati pasi policia ishte në kërkim të tij. Sipas Prokurorisë dyshohet se në kundërshtim me Ligjin që mbron Parkun Nacional “Sharri”, e ka ndërtuar hotelin “Brezovica Hotel Spa”, pronar i së cilit është ai. Mbi të fundit tash rëndon vepra “degradim dhe shkatërrim” i ambientit të Brezovicës.

Salihu nuk mundi t’i ikte më shumë shtetit dhe vendosi të dorëzohej në polici. Pasi ai u dorëzua dhe u vetdeklarua i pafajshëm, shteti e la të lirë.

Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku pati thënë se pasi ka dhënë deklaratën në polici është liruar për arsye shëndetësore.

“Para dhjetë ditësh Abedin Salihu është paraqitur në drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka dhënë deklaratë, dhe për momentin është i lirë”, ka thënë Maloku, shkruan Gazeta Insajderi.

“Në deklaratën e tij, ka thënë se kinse ka pasur problem jashtë – problem shëndetësore, COVID-in”, ka thënë tutje Maloku.