Kurti: Konfliktet i shkakton autokracia në Beograd e lidhur me Moskën
Foto: Laura Hasani

Kurti: Konfliktet i shkakton autokracia në Beograd e lidhur me Moskën

Aktuale March 12, 2024 - 13:02

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikte, por autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë.

Një deklaratë të tillë Kurti e ka bërë pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike në Kosovë, pasi u pyet nga mediat lidhur me paralajmërimet e inteligjencës amerikane rreth konflikteve të mundshme ndëretnike në Ballkanin Perëndimor.

“Konfliktet nuk janë ndëretnike, nuk është dallimi etnik ai që shkakton konflikt, por është autokracia në Beograd e ndërlidhur me despotin në Moskë. Ne kemi paralajmëruar kaherë që shtetet jo demokratike edhe në rajonin tonë jo vetëm ne lindje të Evropës janë në rrezik për sigurinë dhe paqen, por natyrisht që këtë gjë hollësisht dhe thellësisht sikur SHBA-ja nuk mund ta dijë askush. Ajo çfarë bëjmë ne është që përgatitemi maksimalisht atë çka mundemi dhe dimë, andaj përuruam këtë Qendër Shtetërore për Siguri Kibernetike për trajnime të cilat do të merren dhe do të ofrohen aty”, tha Kurti.

 

Në raportin vjetor të kërcënimeve në botë të Zyrës së drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së paralajmërohet mundësia që Ballkani Perëndimor të përballet me një rrezik të shtuar të dhunës së lokalizuar ndëretnike gjatë vitit 2024, posaçërisht në Bosnjë e Hercegovinë ku lideri i serbëve të Bosnjës Millorad Dodik synon shkëputjen de fakto të Republikës Sërpska, por edhe në Kosovë, ku tensionet u rritën skajshëm vitin e kaluar. /Rtk