Bislimi: Përmes Asociacionit synohet të vendoset “Kali i Trojës” në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Bislimi: Përmes Asociacionit synohet të vendoset “Kali i Trojës” në Kosovë

Aktuale June 08, 2023 - 13:40

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka ofruar shtatë arsye pse nuk duhet themeluar Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi të enjten se kërkesat për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nuk kanë për qëllim integrimin e serbëve lokalë, por sipas tij, synimi është të vendoset një “Kalë i Trojës” në Kosovë.

“Kosova ka paralajmëruar vazhdimisht komunitetin ndërkombëtar për arsyet e vërteta pse Serbia insiston në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Asociacioni nuk kishte për qëllim asnjëherë të integronte serbët vendas në Kosovë, por si ‘Kali i Trojës’ së Beogradit për ta bërë vendin jofunksional, duke përgatitur kështu rrugën për ndarje”, ka shkruar Bislimi në Twitter.

Ai ka thënë se krijimi i Asociacionit është i domosdoshëm për politikë-bërësit serbë, pasi “ofron një bërthamë për qëllimin shekullor të bashkimit të kombit serb”.

Bislimi është mbështetur edhe në një “non paper” të kohëve të fundit të hartuar nga Akademia Serbe e Shkencave dhe Arteve, i cili siç ka thënë, shpjegon në mënyrë të përsosur këmbënguljen e Beogradit për Asociacionin.

“‘Non-paperi’ i fundit i draftuar nga Akademia e Shkencave dhe e Artit e Serbisë (nga Vasilije Krestiq, anëtare e plotë) ofron dëshminë më të fuqishme deri më tash për qëllimet e vërteta të Serbisë prapa insistimit për Asociacionin në Kosovë”, ka shkruar tutje ai.

Tutje, zëvendëskryeministri kosovar ka thënë se themelimi i Asociacionit nuk është objektiv në vetvete, por përkundrazi përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt qëllimit kryesor të një “bote serbe” (“Srpski svet”) që përkon me territorin e ish-Jugosllavisë.

“Plani fillestar i Asociacionit është i parëndësishëm, pasi kompetencat e tij do të evoluojnë dhe do të shfrytëzohen për shkak të mbështetjes financiare të Beogradit si dhe mungesës relative të mbikëqyrjes nga Qeveria e Kosovës”.

“Këto kompetenca do të çojnë përfundimisht në një Republikë Serbe të re me qëllimin e ndarjes territoriale. Kjo pastaj do ta detyrojë komunitetin ndërkombëtar të njohë ekzistencën e dy entiteteve kombëtare në Kosovë dhe autonominë absolute në zonat e Asociacionit”.