Arrestimi i mërgimtarit në Serbi për shkak të shqiponjës, reagon MPJD-ja

Arrestimi i mërgimtarit në Serbi për shkak të shqiponjës, reagon MPJD-ja

Aktuale June 05, 2023 - 15:56

Mërgimtari Rrahim Musliu ishte arrestuar me 24 maj në territorin e Serbisë. Ai u arrestua pasi në pjesën e përparme të veturës së tij e kishte të vendosur simbolin e shqiponjës.

Për rastin tashmë është informuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme, të njëjtit konfirmuan se tanimë në dijeni janë edhe delegacioni i BE-së e misionet tjera diplomatike në Serbi.

“Për rastin në fjalë, ju njoftojmë se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, zyrtarisht ka njoftuar MPJD për arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, arrestimi i të cilit ka ndodhur gjatë kalimit tranzit në Serbi”, thonë nga ministria për Insajderin.

“MPJD është duke ndjekur me vëmendje zhvillimet e procedurës për rastin në fjalë, për ç’rast janë njoftuar edhe Delegacioni i BE-së dhe misionet tjera diplomatike në Serbi”.

Nga ministria po ashtu konfirmuan se janë në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e Musliut, teksa shtuan se nuk mund të ndajnë detaje tjera për shkak të kërkesës së familjes.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, po qëndron në kontakt të vazhdueshëm me avokatin e shtetasit të Republikës së Kosovës për rastin e të cilit nuk mund të ndajmë më shumë informacion edhe me kërkesë të familjes së të arrestuarit“, deklaruan nga MPJD-ja.

Musliu është arrestuar në prani të gruas së tij, shtetase gjermane nga policë të maskuar serbë, në hotelin ku ata vet e kishin vendosur.

Detaje më të hollësishme për dha edhe kryetari i degës së PDK-së në Kiel të Gjermanisë, Ndue Gjini.

“Rrahim Musliu është një mërgimtar si në kohën e ish-Jugosllavisë me ikje prej luftës në Gjermani, është një punëtor i thjeshtë, njeri familjar dhe gruaja e tij është gjermane, specialiste e zemrës në spital gjerman”.

Mërgimtari Musliu nuk ishte menjëherë në kufi, bazuar në informatat e Gjinit ai u arrestua sikur të ishte një kriminel, nga policë të maskuar të cilit iu kishin futur në hotelin ku e kishin vendosur vet.

“Përpara makinës së tij ka qenë i ngjitur flamuri kuq e zi ku Rrahim Musliu gjithmonë e ka deshtë dhe e do flamurin kuq e zi dhe në qoftë se Serbisë nuk i ka pëlqy kjo, është dashtë në kufirin e Serbisë, je i ndaluar nuk guxon në shtetin tonë me hy kështu, por jo me fut në shtet brenda dhe me arrestu”, ka shpjeguar Gjini.

“Në ditën e arrestimit (24 maj) i kanë qu në polici, pastaj i kanë liru ua kanë marrë pasaportat dhe ia kanë gjetë hotelin dhe i kanë thënë nesër keni me u lajmru në polici – çka bëjnë ata, të nesërmen i shkojnë me specialsa me maska edhe e kapin Rrahim Musliun”, potencoi ai.

Siç konfirmon kryetari i PDK-së në Kiel të Gjermanisë mërgimtari nuk ka shtetësi gjermane, atje po qëndronte me vizë.