Në New York emërtohet rruga me emrin ’’Ismail Qemali’’

Në New York emërtohet rruga me emrin ’’Ismail Qemali’’

Aktuale June 02, 2023 - 23:11
Autor: Haxhi Ademi

Për herë të parë në Staten Island të New York-ut emërtohet një rrugë me emrin e Ismail Qemalit dhe për këtë meritë të veçantë nga Kosova ka dhënë Shpetim Qorraj, djali i dëshmorit Mustafë Qorraj.

Image

Qyteti i New York-ut ka vendosur të nderojë njërin nga udhëheqës më të shquar të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetar e parë të Shqipërisë, Ismali Qemalin duke i vënë emrin e tij një rruge në Staten Island të New York-ut.

Emërimi i një rruge me emrin e Ismail Qemalit në Staten Island të New York nuk është vetëm një nderim për figurën e tij historike, por gjithashtu shënon një hap të rëndësishëm për komunitetin shqiptar në qytetin e madh amerikan.

Shqiptarët janë një nga komunitetet më të rëndësishme dhe më të vjetra të diasporës në New York, dhe emërtimi i një rruge me emrin e një heroi kombëtar shqiptar përforcon identitetin dhe pranimin e tyre në këtë qytet.

Shpetim Qorraj, djalit të dëshmorit Mustafë Qorraj së bashku me kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane në Staten Island, Naser Nika, do të realizojnë emertimi i rrugës me emrin e Ismali Qemalit.

Në një ceremoni emocionuese që do të zhvillohet më 3 qershor 2023, komuniteti shqiptar në Staten Island, New York, do të festojë momentin historik, pra emërimin e rrugës “Ismail Qemali”.

Aktivitetet e ceremonisë do të jenë të shumta dhe do të kënaqin të pranishmit me një atmosferë festive. Muzika shqiptare do të dëgjohet në tone të larta, recitimet do të përshkruajnë historinë dhe kontributin e Ismail Qemalit, ndërsa vallëzimet tradicionale do të japin një frymë autentike kësaj ngjarjeje.

Komuniteti shqiptar në të gjitha trojet do të mblidhet për të festuar këtë moment të rëndësishëm dhe për të shprehur krenarinë dhe dashurinë për trashëgiminë e tyre kulturore.

Rruga “Ismail Qemali” do të jetë një kujtim i përhershëm i kontributit të tij në historinë e Shqipërisë dhe do të shërbejë si një shenjë e unitetit dhe bashkëpunimit mes komuniteteve shqiptare dhe amerikane në New York.

Për t’i përshëndetur mysafirët, të pranishëm do jenë kryetari i qytetit të New York, Eric Adams, kongresmenja Nicole Malliotakis, Asambleistët Samuel Pirozzolo dhe David Carr, por edhe përmes një videolidhje do të jetë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Po ashtu, të pranishmit do t’i përshëndes edhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, kryetari i Malishevës, Ekrem Kastrati.

Kurse historiani, Haxhi Ademi nga Instituti i Historisë në Prishtinë do të flasë për rolin dhe kontributin e Ismail Qemalit, njërit nga figurat kryesore për Shqipërinë.