Hapja e Arkivave serbe përshpejton gjetjen e të zhdukurve shqiptarë

Hapja e Arkivave serbe përshpejton gjetjen e të zhdukurve shqiptarë

Aktuale April 01, 2023 - 21:31

Hapja e Arkivave të Serbisë do ta përshpejtonte gjetjen e të zhdukurve shqiptarë gjatë viteve 1998-1999. Kështu kanë thënë nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi.

Ndonëse një pjesë e arkivave të ushtrisë dhe policisë iu dorëzua Tribunalit të Hagës, sot arkivi nuk është publik, me pretekstin e mbrojtjes së sigurisë kombëtare, thonë në Fondin për të Drejtën Humanitare. Përfaqësuesja e këtij Fondi thotë se me hapjen e arkivave do të merreshin të dhëna për krimet dhe vendndodhjen e varrezave masive. 

“Një pjesë e arkivave dhe dokumenteve që kanë të bëjnë me urdhrat, raportet e rregullta luftarake, si dhe raportet për rehabilitimin e terrenit, ku ishin edhe të dhënat se ku janë varrosur trupat e njerëzve te vrare, i janë dhënë Tribunalit të Hagës. Në bazë të atij arkivi në dispozicion publik, Fondi ka kryer hulumtime dhe ka gjetur të dhëna të caktuara që kanë të bëjnë me varrezën masive në Rudnicë dhe se ishte Zona e Përgjegjësisë së Brigadës 37, komandanti i së cilës ishte Ljubisha Dikoviq. Mirëpo tani, arkiva nuk është e hapur”, tha Ivana Zhaniq, Fondi për të Drejtën Humanitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Serbia duhet t`i hapë arkivat për të zbuluar të  vërtetën për të pagjeturit. Përfaqësues të autoriteteve serbe thonë se palës kosovare, përmes Kryqit të Kuq, i janë dorëzuar më shumë se dy mijë e katërqind dokumente të ndryshme dhe se në bazë të atyre informatave janë gjetur të gjithë trupat deri më tani, por se pala kosovare nuk i ka dorëzuar asgjë Serbisë. Pikërisht për këtë, juristët thonë se zgjidhja nuk është ligjore por politike.

“ Ekziston një procedurë e ndryshme për atë se kush mund të ketë qasje në dokumentet nga arkivi, kush mund të miratojë zbulimin e dokumenteve të tilla. Unë besoj se dokumente të tilla nuk janë sekret shtetëror dhe në këtë moment nuk është problem procedural, sepse këto çështje janë të rregulluara me ligj, por këtu është problem i vullnetit politik. Të dyja palët nuk janë të gatshme të zbulojnë në këtë moment gjëra që unë jam i sigurt se ekzistojnë, por janë shënuar në një mënyrë tjetër e jo si sekret shtetëror” , tha Ahmed Dellimegjac, Avokat.

Besohet se me hapjen e arkivave mund të merren të dhëna që do të përshpejtonin procesin e zbardhjes së fatit të rreth 1600 personave të zhdukur, çështje që u shënua si urgjente në marrëveshjen e arritur së fundmi./rtk