Top Channel pas sulmit me armë: Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese

Top Channel pas sulmit me armë: Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese

Aktuale March 27, 2023 - 12:42

Televizioni kombëtar shqiptar Top Channel ka reaguar sot nëpërmjet një njoftimi për shtyp, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit, ku mbeti i vrarë roja e godinës së këtij televizioni.

Top Channel e ka konsideruar ngjarjen si “një sulm terrorist, i pandodhur kurrë më parë në 32 vjet ndërtim të shtetit të së drejtës dhe fjalës së lirë”.

“Pasojë e këtij sulmi ishte humbja e jetës së punonjësit të sigurisë, Pal Kola, i cili i ka qenë në krye të detyrës, pjesë e stafit të shoqërisë së sigurisë Oktapus”, shton njoftimi, duke sqaruar se në orën 00:40 i ndjeri Pal Kola është gjendur në qendër të breshërisë me 25 plumba në drejtim të godinës së Top Channel-it.

Top Channel ka ngushëlluar familjen e rojës dhe ka shprehur mbështetje në këto momente të vështira.

“Po ashtu, Top Channel shpreh qartësinë që ky akt terrorist i paprecedent, është kryer për të dëmtuar e goditur misionin e medias së lirë dhe fuqisë së fjalës së lirë. Top Channel, është themeluar, krijuar me frymën e njeriut që ndërtoi jo vetëm idenë e një media shqiptare me vlera perëndimore, por dhe mbi të gjitha e një media që përfaqësohet nga grupi i madh i profesionistëve të shquar, figurave publike dhe intelektuale, që çdo ditë ne një transmetim të pandalshëm televiziv e jo vetëm, i shërbejnë publikut me dedikim të plotë”, thuhet në njoftim.

“Sulmet terroriste të këtij lloji tregojnë qartazi sa e rëndësishme është fjala e lirë sa shqetësuese për minuesit e demokracisë. Në emër të detyrës më të lartë të cilës i kemi shërbyer, Top Channel do të vijojë të trashëgojë dhe të kryejë misionin e vet të fjalës së lirë ndaj publikut e shoqërisë shqiptare”, shton televizioni.

Më tej Top Channel kërkon dhe pret zbardhjen e plotë të ngjarjes nga organet ligjzbatuese.

“Zbardhja e këtij akti duhet të jetë prioritet për organet ligjzbatuese, sepse është vrarë një punonjës i Top Channel-it, por gjithashtu është atentat ndaj televizionit që ka shërbyer në transparencë e mbështetjen e të drejtës duke kontribuar me informacion e ndërgjegjësim dhe fuqizim të institucioneve të së drejtës për shoqërinë shqiptare”, thuhet në njoftim.

“Ky akt terrorist është i paprecedent ndaj një media kombëtare, e lidhet vetëm me misionin e saj të fjalës së lirë. Top Channel, aksionarët e tij e familjarët, drejtuesit, gazetarët e autorët, nuk kanë e nuk ka qënë kurrë objektiv i ndonjë sulmi individual që prej themelimit të tij, gjithçka në këtë akt terrorist, lidhet dhe ka të bëjë vetëm me misionin e Top Channel-it”, shton njoftimi.

“Ky krim i paprecedentë e akt terrorist, kërkon menjëherë reagim të përgjegjshëm e të ashpër nga Policia e Shtetit dhe institucionet e drejtësisë, për të vënë përpara përgjegjësisë autorët e vrasjes. Top Channel është e do të jetë, në shërbim të publikut shqiptar, pavarësisht presioneve të vazhdueshme të minuesve të demokracisë, të cilat i njohin dhe përballojnë të gjitha mediat e lira që adhurojnë e ndërtojnë përkrah vlerave perëndimore për ndërtimin e institucioneve dhe principeve të shoqërisë shqiptare”, përmbyllet reagimi i Top Channel-it.