Familjarët e të zhdukurve të zhgënjyer nga takimi i Ohrit
Foto: Arkiv

Familjarët e të zhdukurve të zhgënjyer nga takimi i Ohrit

Aktuale March 20, 2023 - 23:52

Edhe pas përfshirjes si çështje urgjente në aneksin e zbatimit të planit evropian, familjarët e të zhdukurve nuk janë të kënaqur. Nga shoqata “Zëri i Prindërve”, kanë thënë se personat e zhdukur vazhdojnë të përdoren për politikë. Mirëpo, pozitive vendosjen në aneks e kanë parë nga Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, ndonëse nuk presin nga Serbia që ta mbajë zotimin e dhënë në Ohër të Maqedonisë së Veriut.Familjet e personave të zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, kanë mbetur të zhgënjyera nga takimi i Ohrit.

 Megjithëse, çështja e të pagjeturve përmendet në aneksin e marrëveshjes së dakorduar ndërmjet kryeministrit të vendit, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, një gjë e tillë nuk u ka mjaftuar familjarëve të të zhdukurve.Kryetari i shoqatës “Zëri i Prindërve”, Bajram Çerkini, ka thënë se sikur herëve të kaluara, edhe kësaj radhe është vetëm premtim, dhe sipas tij, nuk ka diçka konkrete për fatin e më shumë se 1600 personave që vazhdojnë të jenë të zhdukur.

Megjithatë, përfshirja e Deklaratës për të Pagjeturit, në shtojcën e planit evropian, ka qenë shumë e vështirë sipas kryetarit të Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti.

Ai ka thënë se nuk ka afat kohor të caktuar për respektimin e kësaj pike, duke thshtuar se Qeverisë së Kosovës i është refuzuar kërkesa e afatit prej dy muajsh.

Hoti ka thënë se BE-ja duhet ta kushtëzojë Serbinë nëse nuk mbanë zotimet nga takimi i 18 marsit për trajtimin urgjent të të zhdukurve.

Fillimisht, çështja e të pagjeturve në kuadër të propozimit evropian është përmendur në Nenin 6, për të cilin dokument, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar më 27 shkurt në Bruksel.

Ndërkaq, në dakordimin e palëve për aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshje, më 18 mars në Ohër, është shtuar Deklarata për të Zhdukurit.

“Palët bien dakord të miratojnë Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, si çështje urgjente”, thuhet në aneks.

Tash e mbi dy dekada, familja të shumta mbesin në ankth për mos zbardhjen e më shumë se 1600 personave, që janë të zhdukur me dhunë nga Serbia, nga lufta e fundit në Kosovë./kanal10