Kryeziu: Kjo marrëveshje është më e fuqishme sesa të kaluarat

Kryeziu: Kjo marrëveshje është më e fuqishme sesa të kaluarat

Aktuale March 20, 2023 - 18:45

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se vlera juridike e marrëveshjeve të nënshkruara me Serbinë varet nga zbatueshmëria.

Duke folur për dakordimin e fundit për aneksin e zbatimit të planit evropian, Kryeziu tha se ajo mund të quhet më shumë si marrëveshje për t’i zbatuar marrëveshjet e kaluara.

“Vlera juridike varet prej zbatueshmërisë apo implementimit. Ky takim, këto marrëveshje që janë bërë gjatë këtyre ditëve janë presion politik i faktorëve të rëndësishëm relevant ndërkombëtar dhe shteteve që na kanë pranuar ato kanë pasur për qëllim zbatimi i 33  marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel”.

“Kjo marrëveshje e ka kuptimin që palët janë marrë vesh që të zbatojnë marrëveshjet e nënshkruara më herët. Tash është rrit influenca dhe dinamika e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, përndryshe nuk ka marrëveshje të re”, tha Kryeziu në Tëvë 1.

Nënshkrimin e saj e ka quajtur më shumë si aspekt formal. Megjithatë sipas Kryeziu, Serbia nuk do të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën përderisa atë e ka në Kushtetutën e vet.

“Këto marrëveshje quhen ndryshe edhe marrëveshje të garantuara në të cilët garantuese janë ShBA-ja. Detyrat e qeverive janë t’i zbatojnë dhe nënshkrimi është më shumë aspekt formal edhe ceremonial sesa aspekt që kishte me ndikuar në zbatimin e këtyre marrëveshjeve”.

“Ekziston një defekt në Serbi për shkak se Kosova si shtet i pavarur dhe sovran është dizajnuar në Kushtetutën e Serbisë si krahinë autonome që duhet të funksionojë në bazë të statutit. Kjo është imagjinatë e Serbisë e cila presidentin e Serbisë e obligon ta respektojë Kushtetutën e vet. Nëse e nënshkruan një marrëveshje me Kosovën i bie që është marrëveshje ndërshtetërore dhe unë kam thënë edhe më herët që Serbia nuk ka me nënshkru asnjë marrëveshje”.

“Marrëveshja është me fuqishme se të gjitha ato marrëveshje tjera që janë të nënshkruara. Kjo marrëveshje është më e fuqishme për shkak se kjo quhet marrëveshje garanci, në marrëveshjet e tjera nuk ka pasë garancion”, ka thënë ai.