Aktivistët e PDK-së mbulojnë me dinarë të Serbisë ambasadorin Berishaj, njëri prej tyre arrestohet [video]

Aktivistët e PDK-së mbulojnë me dinarë të Serbisë ambasadorin Berishaj, njëri prej tyre arrestohet [video]

Aktuale January 26, 2023 - 15:26

Aktivistët e Rinisë Demokratike të Kosovës kanë mbuluar me dinarë të printuar të Serbisë ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në shenjë proteste për aferën e madhe financiare, në të cilën është përfshirë dhe tregtimin e energjisë me kompaninë GEN, me seli në Beograd.

Aktivistët e PDK-së këtë aksion simbolik e kryen derisa Martin Berishaj po merrte pjesë në një aktivitet në Prishtinë.

“Ambasadori Martin Berishaj është paguar miliona euro nga GEN-i i Serbisë, para të cilat janë tërhequr dhe nuk dihet se ku kanë përfunduar. Është e papranueshme dhe e pafalshme mbrojtja që po i bëhet ambasadorit Berishaj nga kryeministri Kurti”, thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e PDK-së në Facebook.

Sipas PDK-së, ambasadori Martin Berishaj nuk mund të jetë përfaqësues i denjë i Republikës së Kosovës në Kroaci, përkundrazi, sa të vazhdojë të jetë në detyrë ai do të dëmtojë seriozisht imazhin e Kosovës.

“Në Prishtinë ai duhet të vijë vetëm për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe të japë llogari për skandalin në të cilin është përfshirë. E vërteta nuk do të mundë të fshihet, përkundër mbrojtjes së pakuptueshme dhe të dyshimtë që po i bëhet, sado e madhe të jetë piramida e këtij skandali”, thuhet në njoftim.

Njëkohësisht, duke dënuar trajtimin jodemokratik dhe në kundërshtim me lirinë e shprehjes të Policisë gjatë arrestimit të aktivistit tonë Milot Krasniqi, PDK-ja kërkon lirimin e menjëhershëm të tij.

“Sot është arrestuar personi i gabuar!”.