Shtatë viktima nga dhuna në familje në vitin 2022, fenomen shqetësues në Kosovë
Foto: Laura Hasani / Ilustrim

Shtatë viktima nga dhuna në familje në vitin 2022, fenomen shqetësues në Kosovë

Aktuale January 02, 2023 - 15:57
Leonita Mjeku

Dhuna në familje mbetet një fenomen shqetësues për shoqërinë kosovare, madje në periudhën janar-nëntor të vitit 2022, sipas statistikave të Policisë së Kosovës dërguar për “Zeri.info”, janë raportuar 2471 raste të dhunës në familje, ndërsa shumica prej tyre janë femra.

Sipas statistikave, nga 2471 raste gjthsej, 2055 kanë qenë viktima femra, kurse meshkuj 462.

Nga dhuna në familje këtë vit humbën jetën shtatë persona, katër meshkuj dhe tri gra.

Lirie Qerimaj, Sadije Godeni e Hamide Magashi janë tri viktimat të cilat u vranë nga bashkëshortët e tyre.

Në lidhje me faktorët që kanë ndikuar në rritjen e rasteve të dhunës për “Zërin” ka folur sociologu Jeton Brajshori, i cili ka thënë se dhuna te shqiptarët si dukuri ka ekzistuar gjithmonë, madje ai pretendon se nuk ka shtim të rasteve, por vetëm se janë rritur denoncimet e rasteve tek organet.

Si faktor tjetër Brajshori thekson edhe neglizhencën e institucioneve në rastet e dhunës, për çka ai thotë se shumicën e rasteve dhunuesit janë lënë të lirë dhe në këtë mënyrë edhe gjykatat janë të përfshira në këto krime, duke theksuar se keqmenaxhimi tash e 20 vjet ka ndikuar.

“Shumica e vrasësve dhe dhunuesve janë recidivistë, pra këta persona janë lënë të lirë nga prokurorë dhe gjykatës të papërgjegjshëm, të cilët në mënyrë indirekte janë të përfshirë në krim. Gjykatat janë ndër fajtorët kryesorë që ne sot kemi vrasje dhe dhunime, ndërsa kemi edhe qindra recidivistë tjerë, të cilët enden të lirë dhe janë rrezik potencial për shoqërinë tonë. Pa reforma thelbësore në gjyqësi, ku nuk do të ketë gjykatës dhe prokurorë të korruptuar, krimi vetëm sa do të rritet dita-ditës”, u shpreh ai për Zeri.info.

Faktor tjetër sipas sociologut Brajshori është edhe mentaliteti, i cili sipas tij favorizon pozitën e djemve në raport me vajzat. Ai madje theksoi se kjo vërehet edhe në rastet e trashëgimisë, ku pothuajse në të gjitha rastet vajzat përjashtohen.

“Mentaliteti ynë patriarkal, që ende është i pranishëm, favorizon në masë të madhe gjininë mashkullore brenda familjes. Djali ka përparësi në shumicën e familjeve, kjo më së miri ilustrohet kur kemi të bëjmë me trashëgiminë e familjes, ku pothuajse në të gjitha rastet atë e trashëgon gjinia mashkullore, duke e perjashtuar gjininë femërore. Ky është gabimi të cilin e bëjnë prindërit, të cilët nuk i trajtojnë fëmijët e tyre njëjtë, por favorizojnë gjininë mashkullore. Ligji qartë përcakton se ndarja e pasurisë duhet të jetë e barabartë dhe të mos ketë diskriminim mbrenda familjes. Po ashtu edhe në aspektet e tjera, si çështja e moralit, mashkullit i jepet përkrahje absolute”, tha Brajshori ndër të tjera.

Pasojat e dhunës në familje te fëmijët dhe të rinjtë

Pasojat e dhunës në familje janë të shumta e një ndër to është edhe ndikimi te fëmijët. Në statistikat e dërguara për “Zërin” nga Policia e Kosovës, thuhet se gjatë periudhës janar-nëntor 2022 janë raportuar 539 incidente në shkolla në nivel vendi.

Edhe pse Policia e Kosovës organizon fushata të ndryshme vetëdijesuese, kjo dukuri sa vjen e shtohet.

Sipas sociologut Jeton Brajshori, dhuna në shkolla ndodh si pasojë e bullizmit që është mjaft i përhapur në Kosovë. Ai thotë se bullizmi fizik, por edhe psikik ndikon në formimin e personalitetit të të rinjve.

“Bullizuesit janë persona të cilët ose kanë qenë pre e dhunës në familje, ose persona të cilët kushtet ekonomike i kanë të mira dhe prindërit e tyre i shndërrojnë në snoba”, u shpreh ai për Zeri.info.

Por, një gjë që e rëndon më shumë situatën është edhe mungesa e psikologëve dhe sociologëve në shkolla, sepse sipas Brajshorit në Kosovë ka kuadro të shumtë, të cilët mund të punësohen dhe të merren me këtë dukuri.

I pyetur se cilët hapa duhet ndërmarrë për ta përmirësuar gjendjen në shkollat e Kosovës, Brajshori thekson se trekëndëshi shkollor, që përfshin drejtorin, mësimdhënësit dhe prindërit, duhet të jetë në kontakt të vazhdueshëm.

“Të përpilohen rregulloret e shkollës së bashku dhe të ketë angazhim nga të gjitha palët, kjo do të jetë në të mirë të fëmijëve të tyre, por edhe shoqërisë në përgjithësi”, u shpreh ai ndër të tjera.

Po ashtu edhe psikologia Tringa Dedi ka thënë për “Zërin” se mosdiskutimi i pasojave të cilat ndodhin gjatë ngacmimeve nëpër shkolla është ndër faktorët kryesorë, teksa pajtohet se mungesa e psikologëve dhe e punëtorive të ndyshme bëjnë që kjo dukuri të rritet.

Sipas Dedit, një faktor tjetër është moskomunikimi me familjarët, kontrolli i pamjaftueshëm i shkollarëve dhe liria e tëpërt e përdorimit të internetit, pa kontrollin e prindërve.

“Ndërkohë, edhe emisionet e ndryshme joedukative, të cilat shkollarët i ndjekin, e shtojnë edhe më shumë dhunën kudo rreth tyre”, thekson ajo ndër të tjera.

Ajo thotë se për ndalimin e kësaj dukurie duhet të merren masa qysh herët, sepse mostrajtimi nxit edhe më shumë sjelljet agresive te fëmijët. /Zëri