Haradinaj: Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa ajo për liri [video]
Foto:Reuters

Haradinaj: Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa ajo për liri [video]

Aktuale November 29, 2022 - 14:18

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, e ka quajtur datë të rëndësishme këtë të sotmen, pasi janë bërë 10 vjet prejse Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi e shpalli të pafajshëm.

Vendimi i Gjykatës së Hagës liroi nga të gjitha akuzat Haradinajn dhe dy ish-luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Ibrahimajn dhe Idriz Balajn.

Sipas Haradinajt, ky vendim ka vulosur pastrinë e “luftës tonë çlirimtare”, raporton Zeri.info.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë, sot për mua është një datë e rëndësishme, është përvjetori i lirisë sime, por edhe i vulosjes së pastërtisë së luftës sonë çlirimtare.

Edhe pse çlirimtar, luftëtar për liri në tokën time, më 17 nëntor 2004 jam ftuar për herë të parë për intervistim nga Gjykata e Hagës. Që nga ajo ditë e deri më 29 nëntor 2012 ka zgjatur ndjekja ligjore ndaj meje. Edhe pse në aktgjykimin e parë jam liruar si i pafajshëm, pas disa viteve jam ftuar për herë të dytë në rigjykim.

Përfundimisht, sot para 10 vjetëve, mora aktvendimin e pafajësisë. Lufta për pafajësinë time zgjati po aq sa zgjati lufta për liri.

Falënderoj gjithë ata që nuk humbën besimin në mua dhe në pafajësinë time, e m’u gjenden pranë në të gjitha mënyrat. /Zëri