Deklarohen të pafajshëm dy ish-drejtorët e Komunës së Ferizajt dhe tre zyrtarët e tjerë të dyshuar për korrupsion
Foto: Laura Hasani

Deklarohen të pafajshëm dy ish-drejtorët e Komunës së Ferizajt dhe tre zyrtarët e tjerë të dyshuar për korrupsion

Aktuale May 08, 2024 - 18:57

Në seancën fillestare, të mërkurën në Gjykatën Themelore në Ferizaj, të akuzuarit Faik Grainca, Selvije Ramadani, Xhemajl Tahiri, Ramiz Musliu dhe Lulzim Aliu janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Në këtë rast, Grainca dhe Aliu po akuzohen se në cilësi të drejtorëve të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, e për vepër të njëjtë dhe në cilësi të zyrtarëve po të kësaj drejtorie po ngarkohen edhe Ramadani, Tahiri dhe Musliu.

Deklarimin rreth fajësisë, të akuzuarit e bënë pasi hoqën dorë nga leximi i aktakuzës.

“Unë absolutisht nuk e ndjej veten fajtor, sepse çdo veprim që është bërë në Drejtorinë e Urbanizmit kur unë kam qenë drejtor, nga zyrtarët e kësaj drejtorie dhe nga unë janë bërë në përputhshmëri të plotë me planet urbanistike që kanë qenë në komunë dhe me dispozitat ligjore që e rregullojnë atë”, tha i akuzuari Grainca.

“E kam kuptuar aktakuzën, jam konsultuar mjaftueshëm me avokatin tim, nuk e ndjej veten fajtore”, tha e akuzuara Ramadani.

I pafajshëm u deklarua edhe i akuzuari Tahiri. “E kam të qartë akuzën për çka akuzohem por ka paqartësi në këtë akuzë me pretendimet e prokurorit. Unë nuk e ndjej veten fajtor”, tha ai.

Ngjashëm u deklarua edhe i akuzuari Musliu. “E kam kuptuar aktakuzën. Nuk e ndjej veten fajtor. Kam kryer veprime sipas ligjit”, tha i akuzuari Musliu.

Edhe ish-drejtori Aliu tha se nuk e pranon fajësinë. “E kam kuptuar aktakuzën, jam konsultuar edhe me avokatin mjaftueshëm. Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale me të cilën akuzohem, nuk e ndjej vetëm fajtor”, tha i akuzuari Aliu.

Pas deklarimit të tyre, gjykatësi Habib Zeqiri i ka njoftuar për të drejtën e tyre që të paraqesin kërkesën për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave në afat ligjor prej 30 ditëve.

Në aktakuzë thuhet se i pandehuri Faik Grainca gjatë vitit 2016 si person zyrtar – drejtor për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, pasi që në kundërshtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore dhe pa pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka lëshuar leje ndërtimore për objektin e banimit kolektiv dhe afarist i cili gjendet brenda perimetrit prej 50 metrash me ndërtesën ku është vendosur Biblioteka e Vogël e Qytetit – tani Arkivi Historik i Komunës së Ferizajt, i cili objekt gjendet në listën e Trashëgimisë Kulturore si objekt i trashëgimisë arkitekturale me mbrojtje të përkohshme.

E për këtë objekt po akuzohet edhe Selvije Ramadani, e cila si zyrtare në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Mjedisit në Komunën e Ferizajt, ka dhënë vlerësimin se investitori i plotëson kushtet për lejen ndërtimore.

Gjithashtu, Grainca akuzohet se në vitin 2017, në po të njëjtën pozitë siç u cek më lart, ka lejuar ekzekutimin e vendimit të Drejtorisë për Urbanizëm, me te cilin është urdhëruar investitori “Hit Imperial” që të rrënojë dhe të largojë mbindërtimin me ç’rast e ka udhëzuar me shkrim zyrtarin komunal për ekzekutimin e vendimeve që të mos e ekzekutojë konkluzionin, por paraprakisht “të vërtetohet se a ka aplikuar pala për leje e pastaj të veprohet në bazë të konkluzës”, edhe pse e ka ditur se investitori nuk mund të vazhdojë me mbindërtim pa sigurimin e lejes ndërtimore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se, i pandehuri Lulzim Aliu, gjatë vitit 2017, si person zyrtar – drejtor për Urbanizëm dhe Mjedis në Komunën e Ferizajt, ka keqpërdorur detyrën zyrtare ngase nuk ka ndërmarrë veprimet për ekzekutimin e konkluzës të Inspekcionit të Ndërtimtarisë për rrënimin e mbindërtimit të katit të pestë të objektit banesor të investitorit “Hit Imperial” .

Ndërkaq, të akuzuarit Xhemajl Tahiri dhe Ramiz Musliu po akuzohen se si persona zyrtarë-inspektorë të ndërtimtarisë në Drejtorinë e Urbanizmit nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare me rastin e vizitës inspektuese në objektin ndërtimor të investitorit “Hit Imperial”, nuk kanë vendosur shiritat për ndërprerjen e punimeve. /BetimipërDrejtësi