Daçiqi po dyshon se Perëndimi ka marrëveshje të heshtur me Kurtin

Daçiqi po dyshon se Perëndimi ka marrëveshje të heshtur me Kurtin

Aktuale November 07, 2022 - 10:33

Nënkryetari i Qeverisë së Serbisë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se nëse vendet perëndimore nuk mund të merren me kryeministrin Albin Kurti, ato, sipas tij, ose janë të pafuqishme, ose “tregojnë se kanë marrëveshje të heshtur me të”.

Daçiqi tha për RTS-në se askush në Serbi nuk beson se BE-ja dhe Perëndimi “nuk mund të merren me kryeministrin Kurti”.

Ai ka shtuar se duhet “të bien maskat” dhe të shihet nëse ka ekzistuar Marrëveshja e Brukselit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nëse SHBA-ja dhe BE-ja nuk mund t’i japin fund Kurtit, atëherë kjo është ose nga pafuqia e tyre, ose nga pëlqimi i tyre i heshtur. Unë i them BE-së se është obligim i tyre ta formojnë Asociacionin, jo vetëm obligim i Kurtit. Ne do të donim që e tërë kjo situatë të zgjasë sa më shkurt. Do të bëjmë gjithçka për të ruajtur paqen, për të protestuar në mënyrë paqësore”, tha ai.

Të hënën, deputetët serbë i dorëzuan dorëheqjet e mandateve të tyre.