Mehaj: Të përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve, pa dallim etnie

Mehaj: Të përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve, pa dallim etnie

Aktuale November 06, 2022 - 22:32

Ministri i Mbrojtjes, Armen Mehaj ka reaguar pas situatës së fundit ku serbët kanë marrë vendim të largohen nga institucionet e Kosovës.

Sipas Mehajt, ky vendim ashtu si të tjerët, kanë qëllim destabilizimin e vendit, ai ka dënuar një çasje të tillë duke thënë se është kundër dialogut dhe realitetit të ri të Kosovës, transmeton Zeri.info.

Ai tutje në një shkrim në Facebook, ka thënë se Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie.

Shkrimi i plotë:

USHTRIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS ËSHTË ME JU!

Si ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe në kufirin me Republikën e Kosovës, ashtu dhe vendimi i pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Kosovës janë veprime me tentim destabilizimin e vendit.

Dënojmë një çasje të tillë që qartazi është në kundërshtim me frymën e dialogut e po ashtu me realitetin e ri të Kosovës.

Këto veprime janë pengesa e vetme që të arrihet një marrëveshje që do lejonte të dyja shtetet të ecin para për t'u integruar në Bashkimin Evropian.

Ministria e Mbrojtjes ashtu si dhe organet e tjera të rendit, mbetet e përkushtuar për të garantuar sovranitetin e vendit si dhe mbrojtjen e jetës së gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim etnie.

I vetmi kërcënim për komunitetin serb janë individët dhe grupet kriminale serbe të dirigjuara nga Beogradi, veprimtaria e të cilëve duhet ndalur sa më parë, dhe për këtë jemi në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës, si dhe me misionin e KFOR-it.

Prandaj, apelojmë të gjithë qytetarët e vendit e specifikisht qytetarët tanë të komunitetit serb, që të jenë vigjilent, të mos manipulohen dhe të mos bien pre e dezinformatave që janë pjesë e skenarëve të orkestruar pandërprerë nga Serbia dhe mekanizmat e saj të njohura e të praktikuara edhe në të kaluarën.

Republika e Kosovës dhe institucionet e saj janë në shërbim të të gjithë qytetarëve, andaj angazhimi në to dhe respektimi i tyre është përgjegjësia jonë e përbashkët.